Shqipëria mes shkatërrimit të biznesëve, flakëve dhe dhunës. Pezullohet transporti urban në Tiranë, Rama sfidon protestuesit

Disa qytete në Shqipëri, por më së shumti Tirana vijon të përballet me një situatë të tensionuar, ku protesta ka dalë përtej thirrjeve politike, duke u shoqëruar me akte dhune, sulme ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private. Në ditën e tretë të protestës studentore, goditjet me gurë dhe sende të forta janë drejtuar ndaj Ministrisë së Arsimit, Kuvendit, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe selisë së Partisë Socialiste. Ndryshe nga një ditë më parë, Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë, duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa përplasjet me efektivët kanë vijuar.
Tensionet janë shtrirë edhe në rrugët e Kryeqytetit, ku janë dëmtuar tabela e semaforë, ndërsa disa kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët. Në shënjestër kanë qenë edhe bizneset e mbyllura, me protestues që kanë goditur qepenet e tyre, duke shtuar shqetësimet për sigurinë dhe dëmtimin e pronës private. Përshkallëzimi i situatës ka sjellë pasoja edhe për jetën e përditshme të qytetarëve. Transporti publik në Tiranë dhe Kamëz është pezulluar përkohësisht, pasi disa autobusë janë sulmuar dhe dëmtuar, përfshirë thyerjen e xhamave. Ndërkohë, Kalaja e Tiranës është mbyllur, duke ndërprerë përkohësisht aktivitetin në një prej zonave turistike dhe tregtare të kryeqytetit.
Mes tensioneve, reagim ka ardhur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ka dënuar përdorimin e flamurit të UÇK-së në akte vandalizmi. Organizata thekson se ky simbol përfaqëson luftën për çlirimin e Kosovës, dëshmorët dhe sakrificën për liri, ndaj nuk duhet të lidhet me veprime që cenojnë pronën publike apo private.
Në sfondin e kësaj situate, kryeministri Edi Rama në një prononcim për Reuters, ka hedhur poshtë kërkesat për dorëheqjen e tij, duke argumentuar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. “Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, është shprehur ai. Institucione të sulmuara, biznese të dëmtuara, transport i ndërprerë dhe rrugë të përfshira nga tensionet, një panoramë që e zhvendos vëmendjen nga mesazhi i protestës te kostoja që po paguan qyteti dhe qytetarët e tij.






