Çmimi i “arit” drejt majave historike

Pas një periudhe të gjatë stabiliteti, ari është rikthyer fuqishëm në skenën e tregjeve ndërkombëtare si një nga asetet më të kërkuara. Që nga fillimi i vitit 2025, çmimi i arit është rritur me afro 50%, duke arritur nivelin historik prej mbi 3 mijë e 800 dollarësh për onz dhe sipas parashikimeve të disa prej bankave më të mëdha në botë, si J.P.
Morgan, Bank of America dhe Goldman Sachs, çmimi mund të arrijë në më shumë se 4 mijë dollarë deri në vitin 2026, e ndoshta edhe 5 mijë dollarë, nëse tendencat aktuale vazhdojnë.
Rritja e fortë e çmimit të arit mbështetet nga tre faktorë kryesorë: politika monetare e SHBA, prirjet e bankave qendrore dhe sjellja e investitorëve institucionalë.
1. Ulja e normave të interesit dhe rikthimi i inflacionit
Rezerva Federale e SHBA (FED) ka rikthyer politikën e uljes së normave të interesit, në përpjekje për të përballuar ngadalësimin ekonomik dhe presionin në tregun e punës. Në shtator, FED uli normën me 0.25 pikë përqindje, edhe pse inflacioni mbeti mbi objektivin prej 2%, duke arritur në 2.9% në gusht.