Akt terrori apo siguri kombëtare? Izraeli ndalon 13 anije ndihmash për Gazën

Forcat izraelite kanë ndaluar 13 anije që transportonin aktivistë të huaj dhe ndihma për në Gaza, por 30 anije të tjera vazhdojnë të lundrojnë drejt enklavës palestineze të shkatërruar nga lufta, thanë të enjten organizatorët e flotiljes.

Një video nga ministria e jashtme izraelite, e verifikuar nga Reuters, tregonte pasagjeren më të njohur të flotiljes, aktivisten suedeze për klimën, Greta Thunberg , të ulur në kuvertë dhe të rrethuar nga ushtarë.

“Disa mjete të flotiljes Hamas-Sumud janë ndaluar në mënyrë të sigurt dhe pasagjerët e tyre po transferohen në një port izraelit,” tha ministria e jashtme izraelite në platformën X (ish Twitter). “Greta dhe miqtë e saj janë të sigurt dhe me shëndet të mirë.”

Flotilja Globale Sumud, që transporton ilaçe dhe ushqime për në Gaza, përbëhet nga më shumë se 40 mjete civile lundrimi, me rreth 500 parlamentarë, juristë dhe aktivistë.

Flotilja publikoi disa video në Telegram, me mesazhe nga individë në bord, disa prej të cilëve mbanin pasaportat e tyre dhe pretendonin se ishin rrëmbyer dhe çuar në Izrael kundër dëshirës së tyre, duke theksuar se misioni i tyre ishte humanitar dhe paqësor.

Kjo flotilje është simboli më i rëndësishëm i kundërshtimit ndaj bllokadës izraelite në Gaza.

Udhëtimi i saj përmes Detit Mesdhe tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, teksa shtete si Turqia, Spanja dhe Italia dërguan anije apo dronë për ndihmë në rast nevoje për qytetarët e tyre edhe pse Izraeli i paralajmëroi vazhdimisht të ktheheshin mbrapsht.

Nga rubrika

Back to top button