Franca i thotë se po dëshiron të bëhet ‘mjeshtër i botës’: Reagimet e liderëve ndaj tarifave të Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump të mërkurën prezantoi tarifa për pothuajse të gjitha mallrat që hyjnë atje.
Liderët përreth botës kanë nisur tashmë reagimet ndaj këtij njoftimi, raporton CNN, transmeton Nacionale.
Këto janë shtetet e fundit që kanë reaguar:
Gjermania: Kancelari në largim, Olaf Scholz ka thënë se tarifat janë “rrënjësisht gabim” dhe do të shkaktojnë dëme përreth globit dhe vetë Amerikës. “Duam bashkëpunim, jo konfrontim, dhe do t’i mbrojmë interesat tona”.
Mbretëria e Bashkuar: Kair Starmer ka thënë se Britania do të përgjigjet ndaj tarifave me “kokë të qetë e të ftohtë”, por kryeministri shtoi se “qartë, do të ketë një ndikim ekonomik”. Ai u tha liderëve të bizneseve se Trump “veproi për shtetin e tij, dhe ky është mandati i tij. Sot, unë do të veproj në interesat e Britanisë me mandatin tim”.
Franca: Qeveria Franceze e ka sulmuar “qëndrimin imperialist” të Donald Trumpit, të cilin një zëdhënës e akuzoi se “dëshiron të jetë mjeshtër i botës”, në një sulm personal të rrallë gjatë së enjtes.
Belgjika: “Duke luajtur me shkrepsa, ShBA do të përfundojë duke u djegur” – ka thënë zëvendëskryeministri belg, Maxime Prevot. Ai ka shtuar se “është për të ardhur keq” që ShBA-ja “ka vendosur ta sulmojë njëanshëm tregtinë globale duke vendosur tarifa ndaj të gjithëve, veçanërisht partnerëve të tyre”.
Itali: Kryeministrja Giorgia Meloni ka pastruar agjendën e saj të enjten, që të fokusohet në ndikimin nga këto tarifa.
Norvegji: Tarifat për aleatët dhe kundërshtarët e Amerikës mund të kenë shkelur një nen të traktatit të NATO-s që urdhëron anëtarët e aleancës të promovojnë stabilitetin ekonomik dhe bashkëpunimin, tha të enjten ministri i jashtëm i Norvegjisë. Espen Barth Eide u tha gazetarëve ndërsa mbërrinte në selinë e NATO-s në Bruksel se aleatët do të bënin mirë të mbanin mend këtë “pjesë të rëndësishme të traktatit”.
Afrika e Jugut: Qeveria i etiketoi tarifat e vendosura ndaj vendit nga Trump si “ndëshkuese”, por tha se dëshiron të negociojë urgjentisht një marrëveshje të re tregtare. “Tarifat konfirmojnë urgjencën për të negociuar një marrëveshje të re tregtare dypalëshe dhe reciprokisht të dobishme me ShBA-në, si një hap thelbësor për të siguruar sigurinë tregtare afatgjatë”, tha qeveria e Afrikës së Jugut në një deklaratë.
Theksojmë se eksportet e Kosovës drejt Shteteve të Bashkuara do të përballen me një tarifë të re prej 10%, pas vendimit të fundit të Presidentit Donald Trump.
Kosova figuron në listën e vendimit për të vendosur tarifa mbi pothuajse të gjitha mallrat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, një vendim i cili ka tronditur partnerët tregtarë të Amerikës.
Duke folur nga oborri i Shtëpisë së Bardhë, Trump e quajti këtë ditë “një nga më të rëndësishmet në historinë amerikane” – duke theksuar se ShBA-ja është shfrytëzuar për dekada të tëra nga partnerët e saj tregtarë.
“Amerika është plaçkitur, shkatërruar dhe përdhunuar ekonomikisht nga vendet e tjera. Në shumë raste, miku është më i keq se armiku,” – deklaroi ai.