Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët


Nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.

Kështu e komenton Qeveria e Kroacisë Deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars.

Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.

Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.

“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një parade në Prishtinë më 2024.
SHIKONI EDHE:
A po formohet një aleancë ushtarake në Ballkan?
Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.

Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.

Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet.

Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.

“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.

Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.

Serbia Slovakia
SHIKONI EDHE:
Vuçiq thotë se Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur “garë armësh” pas memorandumit me Kosovën
Por, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.

“Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.

Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”.

Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s.

NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.

“NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”, thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë.

Pse e pengon Beogradin?
Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se zyrtarët në Beograd po e përdorin Deklaratën “për të larguar vëmendjen” nga problemet e brendshme.

Ai aludon te protestat masive që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se katër muaj. Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e kaluar.

Vuksanoviq thotë se Beogradi e konsideron pjesëmarrjen e Zagrebit si veçanërisht “provokuese”.

“Unë nuk mendoj se ka të bëjë aq shumë me Shqipërinë, marrë parasysh se Vuçiq ka, ose së paku ka pasur një marrëdhënie mjaft bashkëpunuese me kryeministrin Edi Rama”, thotë ai.

Pse po e shqetëson Serbinë bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe fqinjëve?
Pse po e shqetëson Serbinë bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe fqinjëve?
Kodi u kopjua.
<iframe src=”https://www.evropaelire.org/embed/player/0/33355391.html?type=video” frameborder=”0″ scrolling=”no” width=”640″ height=”360″ allowfullscreen></iframe>

gjerësia
640
px lartësia
360
px
Shpërndaje në Facebook
Shpërndaje në X
Adresa u kopjua
Auto240p360p480p1080p720p
Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:002:59
0:00
Megjithatë, për ministrin serb të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, memorandumi trepalësh është “një nismë provokuese e vendeve fqinje, që bie ndesh me përpjekjet për forcimin e sigurisë rajonale”.

“Kosova dhe Metohia është një krahinë autonome brenda Republikës së Serbisë, pa marrë parasysh faktin se disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, e kanë njohur pavarësinë e saj të paligjshme dhe të vetëshpallur”, ka thënë Gashiq.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por ajo vazhdon të mos njihet nga Serbia.

Sipas Gashiqit, Zagrebi dhe Tirana ka kohë që përpiqen ta fusin Kosovën në NATO “përmes derës së pasme”.

Po sipas tij, këto dy vende po e ndihmojnë zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, të cilën Serbia e konsideron të paligjshme.

“Qartazi, një skenar i tillë nuk është i pranueshëm për vendin tonë”, ka thënë Gashiq.

Nga rubrika

Back to top button