Zjarri te pallati pranë QSUT-së, 4 të arrestuar, shpallet në kërkim administratori i “Arlis”. Dëmtohen 71 shtëpi, kompania: Do rindërtojmë fasadën dhe apartamantet

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mëson se mes të arrestuarve është edhe menaxheri e marketit, i cili ndodhej në katin e parë, nga ku dyshohet se nisi zjarri që më pas përpiu të gjithë fasadën e pallatit. Në pranga ka rënë edhe administratori I pallatit dhe dy persona të tjerë.
Deri në këto momente bëhet fjalë për 71 apartamente të dëmtuar, ndërkohë që po verifikohet se sa prej tyre janë djegur plotësisht dhe sa pjesërisht.
Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se administratori i firmës që ka ndërtuar pallatin, A.L është shpallur në kërkim nga Policia. Megjithatë deri në këto momente ai nuk është lokalizuar ende se ku ndodhet.
Kompania Arlis ka reaguar një ditë pas ngjarjes duke thënë se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe punimet e kryera në godinë janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente.
“Megjithatë, shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjithë apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit”, njofton firma që ka ndërtuar pallatin pranë QSUT-së.
Përditësimet live, 15/04/2026:
17:35 Djegia e pallatit pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, Braçe shkon në vendngjarje: Hetim të plotë dhe përgjegjësi maksimale ndaj kujtdo
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shkuar sot në ambientet e pallatit të djegur ditën e djeshme pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Me anë të një videoje në Facebook, deputeti Braçe shpreh mirënjohjen për të gjithë zjarrfikësit që ishin në krye të detyrës, por gjithashtu kërkon të hetohet e gjithë ngjarja dhe autoritetet përkatëse të marrin përgjegjësinë e duhur.
14:38 Zjarri në kompleksin e banimit, policia njoftim zyrtar: Katër të arrestuar, nis hetimi për pronarin e pallatit. Shkak dyshohet…
Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht se 4 persona janë arrestuar, pas zjarrit që përfshiu pallatin pranë QSUT një ditë më parë, ndërsa hetimi penal ka nisur edhe për pronarin e pallatit.
13:30 “Pallati që u dogj do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi”/ Zjarri në Tiranë, Rama: Nuk mund t’i lëmë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zjarrin që ra pasditen e së martës në një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza”. Me anë të një postimi në platformën “X”, Rama shkruan se pallati në kompleksin “Arlis”, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi.
12:50 VIDEO/ Zjarri që ‘përpiu’ pallatin pranë QSUT, shikoni si janë shkrumbuar apartamentet në brendësi
Top Channel ka siguruar pamjet nga brenda apartamenteve që u shkrumbuan nga zjarri që përfshiu një pallat shumëkatësh përballë QSUT-së. Nga pamjet e siguruara nga gazetarja Dorjana Bezat, shihet një apartament totalisht i djegur, ndërsa nuk ka shpëtuar asgjë nga flakët.



