“Redaksia Politikajashtme.com shënjestër e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve serbe – nuk do të heshtim!”

Reagim i redaksisë ndaj gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve që po përballemi
Prej disa ditësh, portali Politikajashtme.com është vënë në shënjestër të komenteve fyese, ofendimeve të rënda dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta nga individë me identitete serbe, të cilët shfaqin një gjuhë urrejtjeje të pashoqe ndaj shqiptarëve, Kosovës dhe ndaj vetë ekzistencës së platformës sonë si zë i pavarur informimi.

Në komentet e fundit të mbërritura në postimet tona, janë përdorur shprehje ekstremisht vulgare, kërcënuese dhe të pastra etnike si:
“Jebem vam mamu Kosova i Albana”, një fyerje brutale dhe raciste që synon të poshtërojë shqiptarët në mënyrën më të ulët të mundshme.
Fatkeqësisht, ky nuk është një rast i izoluar. Kemi identifikuar një sërë profilësh që operojnë me gjuhë urrejtjeje të vazhdueshme, me qëllim intimidimi, nxitjeje për dhunë dhe tentativë për të frikësuar zërin tonë redaksional. Jo vetëm që këto komente janë sulm personal dhe kombëtar, por ato përbëjnë një shkelje të qartë të standardeve të komunitetit të rrjeteve sociale dhe të ligjeve ndërkombëtare që ndalojnë nxitjen e urrejtjes etnike.
Ne e kemi raportuar çdo koment përkatës te platformat përkatëse, dhe kemi ruajtur provat për çdo rast ku është tejkaluar kufiri i fjalës së lirë dhe është kaluar në gjuhë urrejtjeje dhe dhunë verbale.
Portali ynë nuk do të heshtë përballë këtyre tentativave për të na mbyllur gojën. Ne jemi të përkushtuar të informojmë, të analizojmë dhe të ngremë zërin për çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare me seriozitet dhe integritet.
Ftojmë të gjithë ndjekësit tanë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të raportojnë çdo formë të gjuhës së urrejtjes dhe të mos bien pre e provokimeve që synojnë përçarjen.
Liria e fjalës nuk është liri për të urryer.
Redaksia – Politikajashtme.com
