Ali Ahmeti kërkon referendum në Kosovë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka kërkuar referendum popullor në Kosovë për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për “Top News”, ai tha se qytetarët e Kosovës duhet të deklarohen për këtë vendim.
“Pasi vendimi i Dhomave të Specializuara u dha në emër të popullit të Kosovës, atëherë do të ishte e logjikshme që vetë populli të deklarohet përmes referendumit”, tha Ahmeti.
Sipas tij, rezultati i referendumit duhet të jetë detyrues për Dhomat e Specializuara, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës.
Kreu i BDI-së kërkoi që institucionet e Kosovës të angazhohen zyrtarisht për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga paraburgimi në Hagë.
Ahmeti propozoi që deri në vendimin përfundimtar të Apelit, ata të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Sipas tij, kjo mund të bëhet nën garancitë e Policisë dhe të shtetit të Kosovës.



