Vjosa zyrtarisht në UNESCO

Lumi Vjosa është përfshirë zyrtarisht në listën e pasurive të mbrojtura nga UNESCO. Lajmi është konfirmuar mëngjesin e kësaj të shtune nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ku shprehet se Vjosa është shtuar në programin “Njeriu dhe Biosfera” si pjesë e listës së trashëgimisë botërore.
Ish-ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila tashmë drejton ministrinë e arsimit ka reaguar gjithashtu përmes një postimi, ku e konsideron lajmin një krenari për gjithë shqiptarët, dhe kurorëzim i ëndërruar i një pune katër vjeçare që ajo ka bërë në katër vitet e shkuara.
“Nuk mund të ishte më e bukur kjo e shtunë se sa me lajmin që vjen nga UNESCO duke kurorëzuar siç e ëndërronim një punë 4-vjeçare, ku Vjosa është përfshirë zyrtarisht në programin ‘Njeriu dhe Biosfera’ si pjesë e listës së trashëgimisë botërore
Lajmi i bukur për të gjithë Shqiptarët u dha nga Kina, në Kongresin Botëror mbi Rezervat e Biosferës, ku jam shumë e lumtur që flamurin shqiptar atje e ngrenë disa prej kryetarëve të bashkive buzë Vjosës dhe Drejtuesja e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, në emër të shumë e shumë njerëzve punëtorë, që jetojnë çdo ditë pranë lumit dhe kujdesen për të.”, shkruan Kumbaro.
Më tej ajo u shpreh mirënjohjen të gjithë atyre që kanë punuar pët këtë ditë, mes të cilëve veçon dhe drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay.
Futja në listën e trashëgimisë botërore e lumit Vjosa është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin, duke forcuar pozicionin e Parkut Kombëtar të Vjosës si i pari i këtij lloji në Europë.
Lumi Vjosa njihet si “lumi i fundit i egër në Europë”, sepse rrjedh lirshëm për rreth 270 km, nga burimet në malet e Pindit në Greqi (ku quhet Aoos) deri në derdhjen në detin Adriatik në Shqipëri.