Edi Rama emëroi sot ministren e parë në botë të krijuar nga inteligjenca artificiale

Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ka një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale.
Emri i saj është Diella, që në shqip do të thotë “rreze dielli”, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha prokurimet publike, ka deklaruar kryeministri Edi Rama.
Gjatë verës, Rama kishte shprehur idenë se një ditë vendi mund të kishte një ministre digjitale apo madje edhe një kryeministre të AI-së, por pak kush mendoi se ajo ditë do të vinte kaq shpejt.
Në asamblenë e Partisë Socialiste të mbajtur të enjten në Tiranë, ku Rama shpalli cilët ministra do të largoheshin dhe cilët do të qëndronin për një tjetër mandat, ai prezantoi edhe Diellën, të vetmen anëtare jo-njerëzore të qeverisë.
“Diella është anëtarja e parë që nuk është fizikisht e pranishme, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale,” u tha Rama anëtarëve të partisë.
Rama bëri të ditur se vendimet mbi tenderët do të merren “jashtë ministrive” dhe do t’i kalojnë në duart e Diellës, e cila është “shërbëtorja e prokurimeve publike”. Ai tha se ky proces do të zhvillohet “hap pas hapi”, por Shqipëria do të bëhet një vend ku tenderët publikë janë “100 për qind të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond publik që kalon përmes procedurës së tenderit është 100 për qind i lexueshëm.”
“Kjo nuk është fantashkencë, por detyra e Diellës,” shtoi ai.
Diella do të vlerësojë tenderët dhe do të ketë të drejtën “të punësojë talente nga e gjithë bota”, duke thyer “frikën nga paragjykimet dhe ngurtësinë e administratës.”