Rama: Çliruam 20 mijë metra katrorë në Tiranë

Që prej nisjes së aksionit për lirimin e hapësirave publike në Tiranë qytetarëve ju janë kthyer 20 mijë metra katrorë sipërfaqe publike. Bilancin e ka bërë Kryeminsitri Rama, i cili paralajmëron se puna e nisur nuk do të ndalet në të gjithë vendin.
“Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo.”
Pas aksionit për lirimin e hapësirave publike që është shtrirë në të gjithë vendin, qeveria ka gati planin e menaxhimit, detajet e të cilit i zbulon vetë kryeministri, i cili sqaron edhe formulën e vendosjes së tavolinave në hapësirat publike.
“Në ndërkohë po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas. Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik.”
Sakaq edhe në Theth pas shembjeve të ndërtimeve pa leje ka nisur rehabilitimi i zonës. Kryebashkiaku i Shkodrës ka postuar në rrjetet sociale foto nga puna në qendrën e fshatit turistik, i cili po pastrohet nga inertet për tu mbjellë sërish me bar.