Zbardhet vrasja e 23-vjeçarit, në pranga 2 persona

Këto janë momentet pak para se 23-vjeçari Renis Dobra të merrej peng e më pas të mbytej me litar, mbrëmjen e 8 korrikut në fshatin Zenisht të Burrelit.
Video është fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonë, ku fillimisht shihet makina e viktimës, e më pas ajo e përdorur nga 4 autorët, tashmë të identifikuar nga policia. 2 prej tyre, Petrit Çakraj dhe Fation Bushgjokaj, që i shihni dhe në këto foto, janë vënë në pranga. Ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim.
Pasi e kanë marrë forcërisht, autorët e kanë mbytur me litar 23-vjeçarin dhe më pas, së bashku me automjetin e tij, tip Benz, e kanë hedhur në liqenin e Ulzës.
Gjatë hedhjes, trupi i pajetë i të riut ka dalë nga makina dhe ka mbetur afër bregut të liqenit, aty ku dhe u gjet nga policia një ditë pas ngjarjes.
Nga hetimet, policia ka zbuluar se vrasja e 23-vjeçarit ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje për çështje droge.
“23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka pasur mosmarrëveshje që lidhen me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.”
Po për ngjarjen, Policia e Tiranës ka shoqëruar edhe 4 persona të tjerë, të cilët po verifikohen nëse kanë lidhje me vrasjen e të riut.
Me dyshimin se në krim janë të përfshirë edhe persona të tjerë, policia ka dërguar për ekzaminim 20 telefona të sekuestruar gjatë verifikimeve si dhe 7 automjete, të cilat ishin marrë me qira dhe u përdorën për realizimin e ngjarjes.