Rritja alarmante e vrasjeve në Kosovë/ Ja çfarë paralajmëron Kunushevci

Kohët e fundit, Kosova është tronditur nga një valë vrasjesh të rënda. Rasti më i freskët ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u qëllua për vdekje. Autorët e dyshuar të këtij krimi ndodhen ende në arrati
Më 23 mars, një 19-vjeçar u vra me armë zjarri, ndërsa një ditë më pas, një burrë 58-vjeçar vrau një grua dhe më pas veten. Të dyja këto raste ndodhën në Vushtrri, duke shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik.
Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe në Prishtinë, ku më 25 mars një person u vra në rrethana ende të paqarta.
Lidhur me këto raste ka folur për “Bota Sot” sociologu Labinot Kunushevci, i cili ka analizuar faktorët kryesorë që mund të çojnë në kryerjen e veprave kriminale.
Faktorët kryesorë që shpiejnë në dhunë janë mungesa e komunikimit racional, mungesa e inteligjencës emocionale si mekanizëm vetëkontrolli, mungesa e frikës nga ndëshkimi i shtetit (dënimet e vogla për dorasit ose armëmbajtësit pa leje), mungesa e ndërgjegjësimit për pasojat e veprave kriminale, kriza e thellë morale e sociale, dështimi i elitave kulturore etj”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka shpjeguar se çfarë nënkupton rritja e rasteve të vrasjeve.
Rritja e rasteve tregon se shoqëria jonë po futet në një cikël të riprodhimit të dhunës duke e pa atë si të vetmin model të zgjidhjes së konfliktit. Kjo tregon rënien e besimit në kompetencën dhe fuqinë e institucioneve për t’i zgjidhur problemet dhe mosmarrëveshjet – pra mungesa e vetëdijes institucionale”, ka potencuar ai.
Përveç tjerash, Kunushevci ka shtuar se nuk është bërë mjaftueshëm për t`i parandaluar këto raste.
“Shoqëria, elitat, shkolla dhe universiteti, shoqëria civile, organizatat dhe mediat, nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta parandaluar, pasi dhuna nuk zgjidhet vetëm me kampanja e ligjërata, nuk zgjidhet me populizëm, por zgjidhet me strategji e cila fillon të implementohet që nga klasa e parë në shkollë fillore me angazhimin e shumë resurseve profesionale, përfshirë sociologë, psikologë dhe neuropsikiatëra”, ka përfunduar Kunushevci.