Formimi i Qeverisë së re, Kurti nis takimet me partitë politike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka nisur takimet me partitë politike të pakicave për formimin e Qeverisë së re, siç është thënë në një njoftim të fundit nga zyra e tij.
Në komunikatë, thuhet se Kurti po konsultohet me partitë politike të pakicave për formimin e Qeverisë së re, derisa sot ai ka takuar zëvendëskryeminstren e tretë, Emilija Rexhepi, njëheri kryetare e Partisë së Re Demokratike.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar takimet me partitë politike të pakicave, për konsultim me to në lidhje me formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe fillimit të afateve kushtetuese drejt formimit të legjislaturës dhe qeverisë së re.
Në kuadër të këtyre diskutimeve, kryeministri u takua me zëvendëskryeministren e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut dhe kryetaren e Partia e Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi. Ajo e konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si fituese e zgjedhjeve të fundit dhe mbështetjes së kryeministrit Kurti në formimin e qeverisë së re” – thuhet në njoftim.
Theksojmë se presidentja Vjosa Osmani të martën ka caktuar 15 prillin si datë ku do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së nëntë.
Pavarësisht caktimit të datës, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka treguar se kush do të jetë kandidati i saj për kryetar të Kuvendit.
Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk ka treguar as me kë do ta formojë qeverinë Kurti 3.
Deri më tani, zyrtarët më të lartë të kësaj partie kanë thënë vetëm se do ta formojnë qeverinë e re, por nuk kanë treguar nëse i kanë 61 vota për këtë gjë.
Për këtë çështje sot ka folur edhe nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca.
Në një prononcim të shkurtër, ish-kryetari i Kuvendit ka ka treguar se me kënd VV-ja do ta formojë qeverinë.
“Krejt ka çka presim është që të themelohet shumë shpejt Qeveria e Republikës së Kosovës në Parlament. Fillimisht Parlamenti duhet të konstituohet” – ka thënë Konjufca.
Një ditë më parë, qëndrimin e saj e ka dhënë edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo ka lënë të nënkuptohet se VV-ja do të tentojë të komunikojë veç e veç me deputetët e partive opozitare.
“Besoj se tashmë pas certifikimit të rezultateve vazhdon puna për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht edhe për Qeverinë Kurti 3. Ne do të kemi përpjekje të vazhdueshme për të takuar grupe parlamentare, përjashto këtu opozitën, pra me partnerët tanë të koalicionit te cilët edhe jemi, por edhe natyrisht me të tjerët të cilët do t’i kemi” – u shpreh Haxhiu.
Ajo që dihet është se pa ndihmën e partive opozitare VV-ja nuk mund t’i formojë institucionet.
Deri me tani, tri partitë opozitare kanë bërë me dije se nuk bashkëpunojnë me partinë në pushtet.
Nëse VV-ja dështon të sigurojë shumicën e nevojshme për formuar Qeverinë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë për marrje të përgjegjësisë.