Xhamia e madhe me probleme të mëdha

Për gati dy dekada besimtarët myslimanë kanë kërkuar ndërtimin e një xhamie në qendër të Prishtinës.

Ata duan të krijojnë më shumë vende për t’u falur, por gjithashtu edhe për të treguar se Kosova është një vend që ka shumicën e popullsisë të përkatësisë islame.

Shumë prej këtyre besimtarëve, ditëve të premte ose siç njihet e xhuma, falen edhe në rrugë, pa marrë parasysh kushtet atmosferike, pasi në xhamitë aktuale që ka kryeqyteti, nuk ka vend për të gjithë.

Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës. Kërkesat e BIK-ut u bënë edhe më të shpeshta pasi autoritetet lejuan ndërtimin e Katedrales Katolike për 2.2 për qind të popullsisë që i përkasin besimit katolik.

Më shumë se 95 për qind e popullsisë në Kosovë është myslimane, kurse 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks të përfaqësuar nga serbët.

Lokacioni

Pas shumë negociatash që kanë zgjatur disa vjet, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që xhamia të ndërtohet në lagjen Dardania, një lokacion në mes të një Ambulance të Bashkësisë Lokale Dardani dhe ndërtesës së Telekomit të Kosovës.

Vendi i ndërtimit përdoret si parking i Telekomit.

Në vitin 2012, ishte vënë guri themeltar i Xhamisë Qendrore të Prishtinës, ku do të mund të falen deri në 6 mijë besimtarë.

Vetëm 8 vjet më vonë filluan punimet për ndërtimin e saj, pasi Bashkësia Islame kishte hasur në probleme për t’u pajisur me leje për të filluar punët.

Punimet zyrtarisht filluan para disa ditësh, më 15 korrik. Por kur filluan punimet, filluan edhe kundërshtimet, të njëjtat që e kanë përcjellë prej fillimit të projektit.

Të mërkurën një grup i vogël qytetarësh protestuan kundër ndërtimit të xhamisë përballë Telekomit të Kosovës në Prishtinë. Shumë të tjerë kundërshtuan edhe përmes platformave të mediave sociale.

Ata kundërshtojnë edhe lokacionin ku është përzgjedhur të ndërtohet ky objekt fetar, por edhe formën e financimit, pasi që ndërtimi i xhamisë financohet nga Bashkësia Islame e Turqisë.

Sipas tyre, lagjet Dardania dhe Ulpiana, kanë më shumë nevojë për shkolla e çerdhe sesa për xhami.