VV paralajmëron protesta ndaj Qeverisë Hoti

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të tentojë të shtyjë përpara themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe atëherë do të përballet me rezistencë dhe pakënaqësi të madhe qytetare.

Kur është pyetur nëse kjo nënkupton protesta, Haxhiu ka thënë se s’mund të pyesin për situatën pandemike nëse rrezikohet që Kosova të ‘boznjëzohet.

Tash, ne jemi shumë të lumtur që është shtyrë takimi i Brukselit, për faktin se çfarëdo përpjekje e Hotit për ta jetësuar Zajednicën do të has në pakënaqësi dhe në rezistencë të madhe qytetare. Ne nuk mund të pyesim për pandemi, nëse neve na bosnjëzohet vendi”, ka thënë Haxhiu në DPT Fidani të T7, raporton Gazeta Express.

Sipas Haxhiut, “Zajednica” është “shtet brenda shtetit të Kosovës”

Ndër të tjera ajo ka thënë se pavarësisht se Hoti ka thënë se s’do të flasë për Asociacionin, po e vëzhgojnë situatën, meqë sipas saj kryeministri ka ndërruar fjalët për shumë çështje, teksa ka përmendur “Mini-Schengenin”

“Hoti thotë sot nuk e boj, nesër e bën, prandaj se ndonëse deklaron kështu, jam e bindur që do të tentoj të bëjë diçka, po e vëzhgojmë me kujdes dhe do të veprojmë varësisht prej situatës”, ka thënë Haxhiu.