Vjosa Osmani takohet me Donald Trump në New York

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri të ditur se është takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump me të cilin tha se zhvilloi një “bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore”. I planifikuar si një takim protokollar, “u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore”, njoftoi presidentja Osmani e cila ka disa ditë, që po qëndron në Nju Jork ku po merr pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Faleminderit Presidentit Trump për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe! Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-të, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, thuhet në njoftimin e presidentes Vjosa Osmani.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po qëndron edhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla. Qëndrimi i zyrtarëve të lartë të Kosovës në Nju Jork vjen vetëm pak kohë pasi Uashingtoni zyrtar njoftoi pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën. Vendimi erdhi sipas ambasadës amerikane në Prishtinë Uashingtonit, pas veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të cilat “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. Albin Kurti pas vendimit të SHBA u shpreh në një reagim të tij, se “Qeveria në detyrë ka disa dallime në qëndrime me SHBA-në”, por nguli këmbë se “raportet mes Kosovës dhe SHBA-së nuk janë prishur”.