Vendimi i parë i ministrit Arben Vitia është i kundërligjshëm, thotë juristi kosovar

Juristi në Zyrën Ligjore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Donat Lushaku, është shprehur se vendimi i parë i ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia është i jashtëligjshëm, shkruan Gazeta Metro.


Me anë të një shkrimi në Facebook, juristi Lushaku ka thënë se baza ligjore ku thirret Vitia për emërimin e Naim Bardiqit në krye të Sekretariatit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë është shfuqizuar më 13 korrik të vitit 2020.

Ai thotë se kjo dëshmohet nga fakti se Ligji për Shërbimin Civil nuk është më në fuqi por tani funksionon Ligji për Zyrtarët Publik.

Sipas tij, ky është një vendim amatoresk dhe i kundërligjshëm nga ana e ministrit Vitia.

“Vendimi i parë i ministrit Arben Vitia – i kundërligjshëm. Baza ligjore ku thirret ai është shfuqizuar më 13 korrik 2020, ngase Ligji për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës nuk është më në fuqi. Nga 13 korriku 2020 në fuqi ka hyrë Ligji për Zyrtarët Publik. Dhe ky është një vendim amatoresk, ngase me hyrjen në fuqi të një akti (të ri) shfuqizohet akti tjetër (i vjetër). Jus est ars boni et aequi!”, shkruan Lushaku.

Më poshtë keni postimin e plotë të tij.