Vedat Muriqi infektohet me koronavirus, sipas TMW

Sulmuesi i Kosovës dhe Lazios, Vedat Muriqi, është prekur nga virusi Covid-19, sipas mediumit italian, Tuttomercatoweb.

Muriqi – i cili iu bashkua Lazios nga Fenerbahce javën e kaluar për një shumë që besohet të jetë rreth 20 milionë euro – ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, raporton Gazeta Express.

Lajmi nuk është konfirmuar ende nga klubi i tij i ri Lazio.

Muriqi nuk e ka nisur siç do të dëshironte aventurën te klubi nga Serie A, pasi nënshkroi kontratë me kohë zgjatje katërvjeçare dhe pagë vjetore rreth mbi 2 milionë euro.

26-vjeçari nga Prizreni nuk është parë në stërvitje me bashkëlojtarët e rinj që prej se u zyrtarizua si lojtar i ri i kubit nga kryeqyteti italian më 15 shtator.

Lazio do ta nisë sezonin e ri në Serie A pas pesë ditëve, më 26 shtator kundër Cagliarit, që nënkupton se prizrenasi duhet të presë për ta bërë debutimin.

Por ai besohet se do të jetë i gatshëm për ndeshjet e Kosovës muajin e ardhshëm.

Kosova do ta ketë një përballje historike me Maqedoninë e Veriut më 8 tetor, në play-off për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2020 për herë të parë në histori të vet.

Tri ditë më vonë, Kosova do të jetë nikoqire e Sllovenisë në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Kombeve. /Gazeta Express/