Vajza e deputetes te Kosoves del pozitiv me Covid-19

Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu ka bërë të ditur se vajza e saj ka dalur pozitiv në testin për COVID-19.

Sipas Haxhiut ajo dhe disa punëtorë shëndetësorë, vullnetarë të Repartit të Emergjencës kanë rezultuar pozitivë pas testit të fundit që e kanë bërë.

“Pas katër muaj përkushtimi e angazhimi vullnetar në vijën e parë kundër Pandemisë, si vullnetare ne Repartin e Emergjencës, vajza jonë A. bashkë me disa kolegë shëndetësor kanë rezultuar pozitiv pas testit të fundit me COVID 19-të. Unë, T. dhe shokëve e shoqeve të saj infermierë iu dëshiroj nga zemra që sa më lehtë ta përballojnë edhe këtë sfidë, në mënyrë që t’iu kthehen vendeve të tyre në betejën tashmë të njohur COVID-19 – të. Shërim të shpejtë”, ka shkruar Haxhiu.

Nga rezultatet 24 orëshe, 8 pacientë janë në gjendje kritike ndërsa me oksigjeno-terapi po trajtohen 274 pacientë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se sot janë shënuar 132 raste të reja me coronavirus në Kosovë, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 118.

Ndërkaq, sipas këtyre të dhënave deri më tani numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend është 2,706.