Ushtarakët e Kosovës kanë besim në ministrin e ri të Mbrojtjes

“Vij nga mërgata. Kam lënë familjen e punën t’i shërbej vendit. Do ta avancojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

Këto ishin fjalët e para posa e mori pozitën e Ministri të Mbrojtjes, Armend Mehaj, të martën.

Mehaj, që kishte shërbyer në Forcat e Armatosura të Norvegjisë në vitin 1999, për të vazhduar më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore, po shihet nga ushtarakët kosovarë si njeriu i duhur për ta drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes në qeverinë Kurti 2.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Hysen Berisha, tha për Albanian Post se Mehaj e njeh nga afër Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe pret nga ai zhvillimin e kësaj force.

“Qysh ka treguar edhe CV e tij është nivel akademik të shkollimit, e njeh Kosovën.  I njeh pretendimet e ushtrisë së Kosovë, e ka përcjellë në vazhdimësi zhvillimin e Forcës së Sigurisë ndër vite”, tha Berisha.

Sipas tij, ardhja e Mehaj në Kosovë është një tregues se në FSK nuk mundet me i futë duart askush, prandaj është nominuar pikërisht ky ministër”.

“Ju e dini në dy qeveritë e fundit është provuar të ndërdyhet në krijimin e FSK-së duke u e prezantuar një ide për shërbim të detyrueshëm ushtarak. Emërimi i tij është tregues që ky proces nuk mundet me ndodh më, këso tendenca nuk munden të ketë më”.

Berisha ka folur edhe për sfidat që do të ballafaqohet ministri i ri i Mbrojtjes.

“Sfidë do të jetë krijimi i ekipit, ne kemi identifikuar objektivin, ai është krijimi i Forcave të Armatosura si ushtri profesionistëve, hapi i dytë është krijimi i epikës. Tash kemi shumë gjenerata të reja të ushtarakëve e oficerëve që janë specializuar  jashtë vendit të cilët do të jenë me standarde të NATO-së. FSK është në një rrugëtim të mirë. Ajo që është esenciale: është se emërimi i tij është stop për të gjithë ata që dëshirojnë me i fut duart në FSK”, shtoi Berisha.

Ardhjen e Mehaj në Kosovë e ka mirëpritur edhe ish komandanti i Forcë së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Ai tha se “kam dëgjuar për të, është një ushtarak norvegjez në ushtrinë norvegjeze dhe ka kryer shumë misione në Afganistan dhe shtete tjetra”.

“E ka një eksperiencë të mirë ushtarake, por sa do të ia del në menaxhimin ose politikbërje të Ministrisë së Mbrojtjes nuk e di, por unë mendoj që ka një eksperiencë të mirë, por edhe në këtë ministri ka zyrtarë ushtarakë shumë të aftë që janë duke i menaxhuar procesin e transformimit, apo të ngritjes së kapacitete ushtarake dhe mendoj që kjo ministri ka me pas sukses gjithmonë”, tha Kastrati për Albanian Post.

Kastrati theksoi se primare është implementimi apo zbatimi i planit dinamik të transformimit të FSK-së në ushtri, si dhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake të kësaj force.

“Pajisja e kësaj force me armatim të rënd dhe rritja e buxhetit, pasi pa buxhet nuk do të ketë as kapacitete të reja. Kjo qeveri duhet t’i jepte prioritet edhe mbrojtës edhe sigurisë”, nënvizoi Kastrati.

Armend Mehaj, në një ceremoni zyrtare ka pranuar detyrën e Ministrit të Mbrojtjes nga ish-ministri, Anton Quni. Mehaj tha se do të punojë në avancimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës.

Mehaj ishte dekoruar me medalje edhe nga Ushtria e Shqipërisë për kontributin e tij në disa misione paqeruajtëse, ka qenë befasia më e madhe e kabinetit të Kurtit.

Armend Mehaj në mision ushtarak
Armend Mehaj, ministër i ri i Mbrojtjes në Kosovë
Mehaj në mision ushtarak