TikTok-u me 92 milionë dollarë minus

Për të mbyllur një proces gjyqësor lidhur me keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, platforma TikTok, ka pranuar të paguajë 92 milionë dollarë.

Agjensia e lajmeve, BBC, shkruan se një grup përdoruesish kanë pretenduar se platforma ka përdorur në mënyrë të paligjshme software për identifikimin e tipareve të fytyrës në videot e tyre.

Ata kanë pretenduar se algoritmi i përdorur mundej të dallonte moshën, gjininë dhe etninë e përdoruesit. Gjithashtu, kanë pretenduar se të dhënat e tyre janë dërguar në Kinë.

Sipas BBC, TikTok-u ka mohuar çfarëdo keqbërje kundrejt përdoruesve, por për të shmangur çështjen gjyqësore ka zgjedhur të paguajë.

Problemi qëndron në faktin se përdoruesit pretendonin se të dhënat e njohjes së fytyrës të mbledhura nga platforma ishin përdorur për të ndjekur dhe për të profilizuar ata me qëllim shënjestrimin e reklamave.

“Edhe pse nuk pajtohemi me pohimet, në vend që të kalojmë nëpër procese gjyqësore të gjata, dëshirojmë t’i përqëndrojmë përpjekjet në ndërtimin e një përvoje të sigurt dhe të gëzueshme për komunitetin TikTok”,

BBC shpjegon se nëse marrëveshja e pagesës është ndërmjetësuar nga një gjykatës federal, paratë do të ndahen ndërmjet përdoruesëve të platformës me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lidhur me rastin, ai është i vendosur në Illinois, një shtet i cili ka ligje të rrepta për privatësinë biometrike.

Kjo nuk është hera e parë që firma e cila ka në pronësi platformën, ByteDance, përballet me çështje që prekin privatësinë e përdoruesve. Megjithatë, kompania i ka mohuar akuzat dhe ka ngulmuar se nuk i dërgon të dhënat e tyre në Kinë.