Starmeri i Britanisë: Tani s’është koha për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha të enjten se tani nuk është koha që të hiqen sanksionet kundër Rusisë, duke folur pas një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, e me udhëheqës të tjerë në Paris.

Starmeri u takua me udhëheqës të shteteve të përfshira në atë që po quhet “koalicioni i vullnetit” për ta diskutuar fuqizimin e pozicionit të Kievit dhe për atë se çfarë roli mund të luajë ky koalicion, nëse arrihet një marrëveshje e paqes me Rusinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Kishte qartësi absolute se Rusia po mundohet të zvarrisë, po luan lojëra dhe ne duhet të jemi absolutisht të qartë për këtë” – tha kryeministri britanik, duke qëndruar krahas Zelenskyt.

“Dhe kjo ka nënkuptuar tri rezultate. Së pari, më shumë përkrahje për Ukrainën për t’u siguruar që Ukraina është në pozicionin më të fortë të mundshëm… Së dyti, qartësi e plotë se tani nuk është koha për heqje të sanksioneve, goxha e kundërta” – shtoi ai.

Starmeri tha, gjithashtu, se grupi i udhëheqësve diskutuan për planet ushtarake e operacioneve të koalicionit të vullnetit.

Nga rubrika

Back to top button