Specialja ka edhe 4 ditë afat për të konfirmuar ose jo aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit

Gjykata Speciale ka edhe katër ditë në dispozicion që të konfirmojë ose jo propozim-aktakuzën për krime lufte ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan sinjali.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit është ngritur më 24 prill 2020.

Gjashtë muaj nga kjo datë, i bie që aktakuza do të konfirmohet më 24 tetor të këtij viti.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar se nëse konfirmohet aktkauza ndaj tij, ai do të japë dorëheqje.