Shqipëria arrinë 100 mijë të vaksinuar

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se sot është arritur shifra e 100 mijë të vaksinuarve në Shqipëri.

“100 mijë të vaksinuar deri sot. 100 mijë jetë të mbrojtura”, shkruan Ministrja në Twitter. “Çdo ditë e më shpejt po afrohet drita në fund të tunelit”.

Prej tre ditësh, Shqipëria është në valën e vaksinimit masiv të popullsisë. Pas ardhjes së 192 mijë vaksinave kineze nga Sinovac më 25 mars, Kryeministri Edi Rama deklaroi se vaksinimi masiv do të niste.

Dy ditët e para, numri i të moshuarve të vaksinuar ishte mbi 30 mijë. Ndërkohë shifra konkrete e të vaksinuarve në ditën e tretë të fushatës, ende nuk është bërë publike.

Në përdorim janë katër vaksina: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac. Sasia më e madhe është ajo e vaksinave kineze, me mbi 1 milion doza të kontraktuara.

Një pjesë e madhe e vaksinave pritet të vijnë edhe nga kompanitë e tjera. Në tërësi janë 2.2 milionë vaksina të siguruara nga Shqipëria deri tani.