Rexhepi: Kemi siguruar kuorumin për zgjedhjen e presidentit

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

Jemi në pritje të takimit të kryesisë (së kuvendit). Koha e seancës ende nuk dihet. Pritet të jetë pasdite”, tha Rexhepi për REL.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, për zgjedhjen e presidentit të ri, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Që të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, duhen nënshkrimet e të paktën 40 deputetëve. Më pas, Kryesia e Kuvendit mblidhet për të caktuar kohën e mbajtjes së kësaj seance.

Jozyrtarisht, REL-i po ashtu merr vesh se Lëvizja Vetëvendosje është duke e shtyrë përpara nxjerrjen para Kuvendit të një ligji, i cili do të rregullonte çështjen e votimit të diasporës nëpër ambasadat që Kosova ka në botë. Ky legjislacion, LVV-ja dëshiron që ta prezantojë para se të procedohet me votimin për presidentin.

LVV e Kurtit për postin e presidentit ka propozuar Vjosa Osmanin.