Resniku jashtë realitetit të propagandës: Investimet e premtuara nuk po shihen askund

Resniku jashtë realitetit të propagandës: Investimet e premtuara nuk po shihen askund
Resnik, Klinë – Ndërkohë që kryetari i Komunës së Klinës ka bërë publike investime të reja infrastrukturore në disa fshatra, duke përfshirë edhe fshatin Resnik, banorët e këtij lokaliteti po e përjetojnë një realitet krejtësisht ndryshe. Në vend të rrugëve të asfaltuara, trotuareve moderne dhe ndriçimit publik të premtuar, në Resnik ende dominojnë rrugët e dëmtuara, mungesa totale e ndriçimit dhe shtyllat e vjetra të drurit që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Në një postim zyrtar, kryetari i komunës përmendi asfaltimin e 2400 metrave rrugë, ndërtimin e 1300 metrave trotuar me ndriçim publik dhe shtrirjen e 500 metrave kanalizim në Jashanicë, Pograxhë dhe Resnik – projekt që thuhet se kushton mbi 225 mijë euro nga buxheti i komunës. Por sipas banorëve të Resnikut, ky investim nuk po reflekton aspak në infrastrukturën e fshatit.

“Rruga është në gjendje katastrofale, me gropa të thella dhe baltë gjatë reshjeve. Nuk kemi as ndriçim publik, dhe më keq – shtyllat prej druri janë aq të vjetra sa po bien vetëm nga një frymë ere. Kemi frikë të kalojmë natën, e lëre më fëmijët që shkojnë në shkollë në këto kushte,” tha një banor i shqetësuar i Resnikut.
Mospërputhja e madhe mes asaj që paraqitet në mediat sociale nga udhëheqësit lokalë dhe situatës reale në fshat ka ngritur dyshime për keqmenaxhim të fondeve apo përdorim të projekteve për qëllime elektorale. Ndërkohë që punimet po përmenden në deklarata publike, në Resnik nuk ka asnjë shenjë konkrete të përmirësimit.

Qytetarët kërkojnë transparencë të plotë nga Komuna e Klinës për fondet e ndara, planet e zbatimit dhe përfshirjen reale të Resnikut në këto projekte. Ata theksojnë se nuk kërkojnë propagandë, por kushte minimale jetese dhe një infrastrukturë që garanton siguri dhe dinjitet.
