Rasti në Fushë-Kosovë: 21-vjeçarja shkoi te ‘hoxha’ që lexonte Kuran për shërim, dyshohet se u dhunua nga ai

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë i dyshuari për dhunim e një 21-vjeçareje në Fushë Kosovë.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se i dyshuari ishte paraqitur si person që ndihmon njerëzit përmes këndimit të Kuranit, ndërkaq rasti ka ndodhur në banesën e tij në Fushë Kosovë.  

“I dyshuari, i paraqitur si person në këndim të Kuranit (Rukexhi) për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dyshohet se në banesën e tij në Fushë Kosovë, gjersa kishte pranuar viktimën për ofrimin e shërbimit-trajtimin shëndetësor, i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftim. 

Tutje bëhet e ditur se prokurori i Shtetit ka bërë kërkesë për ekzaminimin mjekoligjor të viktimës, ndërsa do të bëhet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

“Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim mjeko-ligjor për viktimën, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, thuhe tnë njoftim. 

Ndryshe, Express duke u thirrur në burime brenda Policisë së Kosovës ka raportuar mëngjesin e sotëm për këtë rast. 

Sipas këtyre burimeve, viktima e është e moshës 21-vjeçare dhe kishte shkuar te i dyshuari për të kërkuar ndihmë.