Pse Shpend Ahmeti paditi VV dhe Albin Kurtin

Prishtinë – Kallëzimit penal të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i është kundërpërgjigjur me padi.

Vetëm pak ditë pasi që ish-partia e tij e kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, lidhur me tenderin për furnizim me qumësht për shkollat e kryeqytetit, ish-nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kreu i Prishtinës e ka paditur ish-subjektin që i ka takuar me pretendimet për shpifje.

Ai ka thënë se prapa këtyre deklaratave qëndron lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Kur pajtohesh me Albin Kurtin je socialdemokrat, nëse jo, je i korruptuar. Prapa deklaratave shpifëse qëndron Albin Kurti”, ka thënë kreu i Prishtinës.

Ai ka thënë se Vetëvendosje vazhdimisht ka shpifur ndaj tij lidhur me qumështin në shkolla, pasi sipas tij, të gjitha procedurat kanë qenë të hapura.

“Nuk ka asnjë vend në Kosovë me qumësht më të lirë. Efikasiteti i ulët i gjykatës i lejon shpifësit që të shpifin edhe më shumë”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se në padi ka kërkuar edhe dëmshpërblim, por për shumën sa do të jetë, ai ka thënë se një gjë të tillë ia ka lënë në vlerësim gjykatës.

Ndryshe, më 8 janar të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë, kishte dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, një kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës në Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me kontratën “Furnizimi me qumësht për nxënësit e shkollave – niveli i ulët prej klasës së I – V”.

Sipas këtij kallëzimi penal, Vetëvendosje pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kryetari Ahmeti ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo i autoritet zyrtar” si dhe “lidhja e kontratës së dëmshme”.

“Sot sapo dorëzuam në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për keqpërdorimin e 530 mijë eurove, në tenderin për furnizim me qumësht të klasëve I deri V në shkollat e Prishtinës”, kishte deklaruar në fjalën e tij, përfaqësuesi i VV-së, Valdrin Ahmeti.

Sipas tij, këtë vit vlera e rritur e tenderit për dallim nga vitet e kaluara është 365 %, dhe këtë  tender, siç tha ai, e ka fituar kompania “Abrazen”, me çmim prej 733 e 698 euro, si ofertues i vetëm.

“Është e çuditshme se si, oferta e kompanisë ABRAZEN është vetëm 3698 euro më e lartë se parashikimi i Komunës së Prishtinës. Si arriti që Komuna e Prishtinës me kaq saktësi ta parashikoj se me çfarë çmimi do të ofertoj një kompani për këtë tender nëse nuk janë marr vesh paraprakisht. Pra këtu po del se janë marr vesh për çmimin paraprakisht”, kishte thënë ai.

Edhe kohëzgjatja e kontratës edhe sasia e qumështit, Ahmeti kishte thënë se janë të njëjta sikurse me kontratën e vitit 2017 dhe atë të vitit 2018, mirëpo, dallimi sipas tij, është vetëm në çmim dhe atë 533 mijë e 698 euro, më i lartë me kontratën e vitit 2018.

“Në njoftimet për kontratë të viteve 2015 dhe 2016 është paraparë çmimi prej 200,000 mijë euro për furnizim me 407,610 mijë copë qumësht 0.25 ml për muaj e që i bie për 9 muaj të vitit shkollor të jenë 3,668.490 milion copë qumësht. Kurse pa asnjë arsyetim Komuna e Prishtinës në njoftimin për kontratën e 31 tetorit 2017 vlerën e parashikuar të kontratës e paraqet 730,000.00 mijë euro për të njëjtën sasi të qumështit pra për 3,668,490.00 copë qumësht në sasi 0.25 ml.  Pas këtij manipulimi ka rezultuar dhe nënshkrimin e kontratës në lartësi prej 733,698.00 euro apo 533,698.00 euro më shumë se në vitin 2016”, thuhet në kallëzimin penal të VV-së.

Lidhur me fituesin e tenderit, Ahmeti kishte thënë se është kompani që vjen nga një shtet si Malta që njihet si parajsë fiskale, e ku anëtar bordi i kësaj kompanie, siç tha ai, është edhe drejtori i kompanisë “Devolli Group Shpk”, Ernest Jusufi.

Sidoqoftë, në fund të janarit të këtij viti, Komuna e Prishtinës, kishte anuluar tenderin për furnizim me qumësht për shkollat e kryeqytetit, me arsyetimin që siç thuhej në njoftim, oferta ka tejkaluar shumën e ndarë nga ekzekutivi komunal.