Policë e inspektorë intervenuan mbrëmë në “Princesha Palace”, u dënuan 223 persona

Policia e Kosovës ka shqiptuar 223 gjoba mbrëmë në lokalin e muzikës ‘live’ në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, “Princesha Palace”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci i ka thënë Gazetës Express se përveç pronarit, janë gjobitur edhe pjesëmarrësit.

“Drejtoria Rajonale e Policisë -Prishtinë, perveç përgjegjësive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ka ushtruar edhe autorizimet e saj për ngritjen e nivelit të respektimit të masave anti-COVID. Në kontekstin e kësaj, policia dhe inspektorët kompetentë kanë pasë informatë për organizim në lokalin që ju keni apostrofuar dhe që nga ora 20:00, pas vëzhgimit dhe verifikimit të informatës kanë ndërmarë veprime konkrete në atë lokacion, ku përveç pronarit, janë shqiptuar edhe gjoba për pjesëmarrësit (223 gjoba)”, ka thënë Borovci.

Në “Princesha Palace” të dielën në mbrëmje janë mbledhur qindra persona duke mos respektuar asnjë masë të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, përfshirë atë për mbylljen e lokaleve pas orës 20:00, e cila u thye nga pronari i këtij lokali.

Një video brenda hapësirave të këtij lokali u publikua mbrëmë rreth orës 21:00 dhe ka bërë që Policia dhe inspektorati komunal të intervenojnë në këtë lokacion.