PDK akuzon VV se nuk bëri asgjë sa ishte në pushtet për Telekomin

Partia Demokratike e Kosovës ka parë me shqetësim zhvillimet e fundit lidhur me Telekomin e Kosovës, që dikur ishte ndërmarrja publike më profitabile në vend, ndërsa sot është buzë shkatërrimit.

Në një konferencë për media, deputeti i kësaj partie ka akuzuar madje edhe VV se të tjera fjalë po thotë në opozitë e të tjera kur po e merr pushtetin sa i përket temës së Telekomit.

Sipas tij, është pikërisht vëllai përmbarues i deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku që ka bllokuar llogaritë bankare të Telekomit.

Ditë më parë, përmbaruesi privat i paguar nga z-mobile e që doli të jetë vëllai i Deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Kollçakut, ka bllokuar llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës, duke e sjellë atë buzë falimentimit, ndërsa vetë pret t’i fitojë qindra mijëra euro nga ky proces.

Një veprim i tillë rrezikon mirëqenien ekonomike të rreth 3500 familjeve kosovare, ndërsa kërcënon edhe sigurinë nacionale përmes ndërprerjes së komunikimit të institucioneve të sigurisë kombëtare në Kosovë.

PDK, si parti opozitare, kërkon hetim të hollësishëm nga Prokuroria për këtë proces dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë shkaktuar këtë gjendje në Telekomin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, gjatë kohës sa ishte në opozitë, në vitin 2018, kishte iniciuar dhe aprovuar një Rezolutë në Kuvendin e Kosovës për Telekomin e Kosovës, por kur erdhi në pushtet asnjë nga pikat e kësaj Rezolute që e kishte propozuar vetë – nuk e zbatoi.

Qeveria Kurti e kishte mundësinë për ta ndihmuar këtë ndërmarrje sa ishte në pushtet, por nuk e bëri një gjë të tillë.