Në Vushtrri dënohen 57 qytetarë dhe 4 lokale për mosrespektim të masave anti-Covid

Që nga hyrja në fuqi e masave të reja anti-COVID-19, në Komunën e Vushtrrisë, drejtoria e Inspekcionit ka shqiptuar 57 gjoba për qytetarët të cilët nuk i kanë respektuar këto masa. Përveç qytetarëve, kjo drejtori ka shqiptuar edhe 4 gjoba për mosrespektim të masave për lokalet e gastronomisë.

Megjithatë, drejtori i Inspekcionit në Komunën e Vushtrrisë, Rrahim Ajeti, për KosovaPress thotë se janë të kënaqur me respektimin e masave nga qytetarët dhe nga bizneset e Vushtrrisë.

Por, ai thotë se do të jenë të pa kompromise ndaj atyre që nuk respektojnë masat, që sipas tij janë në të mirë të shëndetit të qytetarëve.

Rrahim Ajeti, Drejtor i Inspekcionit në Komunën e Vushtrrisë

“Jemi të kënaqur me respektimin, jo qind për qind po diku 95 përqind janë duke i respektuar…Që nga hyrja në fuqi i kemi pasur 57 gjoba për qytetarët, ndërsa për biznese i kemi pasur 4 gjoba, bizneset janë të gastronomisë”, tha ai.

Duke qenë se Vushtrria është karakterizuar me numër të lartë të rasteve me COVID-19, nga Ministria e Shëndetësisë është kufizuar lëvizja e qytetarëve nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.

Ajeti thotë se këtë kufizim në masë të madhe janë duke e respektuar edhe qytetarët, po edhe bizneset e kësaj komune.

“Është duke u respektuar edhe nga bizneset që e kanë të ndaluar veprimtarinë, po edhe ata që nuk e kanë të ndaluar, të gjitha bizneset në ora 21:00 mbyllen dhe nuk sheh qytetarë, përpos ata që kanë nevojë për shërbime urgjente”, tha ai.

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Vushtrrisë, Rrahim Ajeti, deklaron se janë 11 inspektorë në kuadër të drejtorisë që drejton, e që thotë se po arrijnë të kryejnë punën në përpikëri.

Ndonëse kanë shqiptuar gjoba për qytetarët, Ajeti thotë se ka ndodhur një vetëdijesim i qytetarëve që sipas tij, shumë pak ka që dalin në rrugë pa maska.

“Jam shumë i kënaqur, dje kemi qenë edhe me kryetarin në vizitë nëpër sheshe dhe në nëpër rrugët e Komunës dhe diku 95 përqind janë duke i respektuar masat”, tha ai

Në Komunën e Vushtrrisë janë 92 raste aktive me COVID-19, ndërsa në gjithë vendin numri i të infektuarve me COVID-19 ka shkuar mbi 5 mijë raste.