Në Kosovë arrijnë edhe mbi 3,500 vaksina Pfizer/BioNTech

Mbi 3,500 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit arritën të hënën në Kosovë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Zyra për Media e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.

Dozat janë donacion i Bashkimit Evropian.

Kontingjenti i parë nga BE-ja, me mbi 4,000 doza të së njëjtës vaksinë, ka arritur në Kosovë javën e kaluar.

BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ato do të shpërndahen gradualisht.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit dhe çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE-ja, ose nga OBSH-ja.

Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës raportoi për 47 raste të reja me koronavirus dhe dy viktima.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur tashmë në 106,489, i viktimave në 2,210 dhe i të shëruarve në 97,877.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të hënën se më 12 maj do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.