Ndalni serbët. Tani. Përgjithmonë

Ne kemi qenë këtu shumë herë më parë në sagën boshnjake. Kemi parë akte barbarizmi nga serbët, mobilizimi i një ndërgjegjeje të tronditur ndërkombëtare, kërcënime për sulme ajrore (ose sulmet ajrore të vërteta, të llojit më të kufizuar), një tërheqje taktike serbe, më shumë bisedime me synim të bindjes së palëve luftuese që të pranojnë një ndarje të territorit që shpërblen agresionin. Pastaj serbët kalojnë në një komunitet tjetër boshnjak, duke përdorur të njëjtën përzierje të dhunës dhe frikësimit për të siguruar qëllimin e tyre për një Serbi më të Madhe etnike të pastër.

Nga Margaret Thatcher

Tragjedia e Gorazhdes tani për tani mund të ketë përfunduar, por ka edhe qytete të tjera me interes të barabartë strategjik mbi të cilat serbët tani janë të lirë të përqendrojnë forcat e tyre. Dje KB’ja ndërhyri për të ndaluar një përpjekje serbe për të zgjeruar korridorin e Brcko’s në veri të Bosnjës, por ndërhyrje të tilla thjesht devijojnë në agresionin serb. Është koha ta ndalojmë atë, vonë, por jo tepër vonë. Kemi arsyetimin, interesin dhe mjetet.

Një shtet sovran, i njohur nga bashkësia botërore, është nën sulm nga forcat e inkurajuara dhe të furnizuara nga një fuqi tjetër. Kjo nuk është një luftë civile por një luftë agresioni, e planifikuar dhe nisur jashtë Bosnjës edhe pse duke përdorur pakicën serbe brenda saj. Parimi i vetëmbrojtjes paraprinë dhe qëndron në themelet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Qeveria legjitime e Bosnjës ka çdo të drejtë të kërkojë ndihmën tonë në mbrojtjen e territorit të saj. Ky është justifikim i bollshëm për të ndihmuar viktimat e agresionit.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Europa kanë interesa reale dhe të rëndësishme strategjike në Bosnjë. Më lejoni të shënoj katër prej tyre.

Së pari, pas gjithë kësaj, Perëndimi, NATO dhe SHBA’të kanë thënë tani që besueshmëria e qëndrimit tonë ndërkombëtar për çdo çështje të sigurisë nga mos-përhapja bërthamore në Lindjen e Mesme tani është në diskutim.

Së dyti, agresorët aspirantë do të presin të shohin se si sillemi me serbët. Dobësia jonë në Ballkan do të kishte pasoja të rrezikshme dhe të paparashikueshme në vendet e ish-Bashkimin Sovjetik, ku ka forca nacionaliste sllave që janë të përafërta me ato të Serbizmit të Madh, dhe në të gjithë Europën Lindore dhe Qendrore ka pakica të cilat shtetet amtare agresive mund t’i joshin dhe të manipulohen për të provokuar konflikt, nëse kjo lejohet si në rastin e Serbisë.

Së treti, ambiciet vetanake të Serbisë nuk janë aspak të kufizuara në Kroaci dhe Bosnje. Kosova është një fuqi baroti, Maqedonia është e brishtë, Bullgaria, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Turqia, të gjithë kanë interesa të forta që mund t’i tërheqin ato në një luftë të re ballkanike, nëse zgjerimi dhe shtypja serbe vazhdojnë të pakontrolluara.

Së katërti, vërshimet e refugjatëve që rrjedhin nëpër Evropë, veçanërisht në rast të një konflikti kaq të gjerë, do të ndeznin më tej tendencat ekstremiste dhe do të minonin stabilitetin e qeverive perëndimore. Perëndimi ka mjetet, teknologjinë dhe armët për të ndryshuar ekuilibrin e avantazhit ushtarak kundër agresorit në Bosnjë. Që nga fillimi i luftës së agresionit serb, që filloi në verën e vitit 1991 në Slloveni, u intensifikua në Kroaci dhe tani po e konsumon Bosnjën, unë kam kundërshtuar dërgimin e trupave tokësore në ish-Jugosllavi, por unë kam thënë që ndihma humanitare pa përgjigje ushtarake është një politikë e gabuar. Ushqimi ose evakuimi i viktimave në vend se t’i ndihmojmë ata të rezistojnë agresionin, na bën bashkëpunëtorë po aq sa edhe Samaritanët e mirë.

Kështu që unë vazhdimisht kam bërë thirrje për veprim të dyanshëm: fillimin e sulmeve ajrore kundër forcave serbe, qendrave të komunikimit dhe depove të municioneve; dhe heqjen e embargos së armëve për Bosnjën dhe Kroacinë në mënyrë që myslimanët dhe kroatët të mund të mbrohen me kushte më të barabarta kundër serbëve, të cilët trashëguan armatimet masive të Ushtrisë Jugosllave.

(Autorja ka qenë Kryeministre Britanike. Artikulli është botuar më 1994 në ‘New York Times’ dhe është ribotuar në Metro sepse ende mbetet aktual për ngjarjet politike sot).