Ministri i Shëndetësisë në fotografi me të dënuar dhe të akuzuar

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, shihet në një fotografi me Salih Sekiraqën person i cili i ka disa dosje në Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, Sali Sekiraqa akuzohet për dy vepra penale.

Njëra është për lëndim të rëndë trupor i akuzuar bashkë me një person tjetër, ndërsa tjetra për mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve.

“ Me datë 23.01.2020 është mbajtur seanca fillestare ku të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë. Gjykata ka dhënë afat prej 30 ditësh për ushtrimin e kundërshtimit kundër aktakuzës dhe provave. I pandehuri H.S ka paraqitur kundërshtimin me datë 21.02.2020 ndërsa i akuzuari S.S me datë 26.02.2020.

 Gjykata do të merr vendim lidhur me kundërshtimet e të akuzuarve dhe varësisht prej vendimit Gjykata do të veprojë mëtutje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore. Po ashtu, sipas Gjykatës, Sekiraqa është i dënuar edhe 4 herë me gjobë nga divizioni për çështje penale nga Gjykata Themelore në Prishtinë, 2 herë me nga 300 euro, një herë me 250 dhe një herë 1,200 euro.

Në lidhje me këtë, i kontaktuar nga KALLXO.com, ministri Armend Zemaj, ka thënë se është takuar me Sekiraqën në një ditëlindje të një shoku, kohë më parë.

“Post të lartë kam mbajtur edhe më herët edhe me përgjegjësi të lartë si deputet për shumë mandate. Fotografia është bërë në një ditëlindje të një shoku kohë më parë ku edhe Saliu ishte preznet. Se familjar i kujt është, ajo më së paku ka të bëjë me punën dhe veprimtarinë time”, ka thënë Zemaj.

Armend Zemaj aktualisht është Ministër i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.