Mimoza Kusari: Sot Telekomi, po nesër rradha e kujt është?!

Për kënd bien këmbanat?

Kur nuk e fiton vetë e me mund edhe e humb lehtë.
Kjo është qeveria aktuale e Republikës së Kosovës e cila sikur t’i kishte prioritetet e qarta, sot do të duhej të mbante mbledhje të jashtëzakonshme me një temë të vetme: shpëtimin e Telekomit të Kosovës.

Në të kundërten e këtij skenari, ne në Kosovë, shtet me qeveri të pazareve politike, kemi të ngarkuarin me detyrën e Kryeministrit të Kosovës, z. Avdullah Hoti, i cili zgjodhi të udhëtojë për në Bruksel dy ditë para se të mbahet takimi me Aleksander Vuçiçin. Deri sa z. Hoti prej dje sorollatet në kryeqendrën evropiane, me axhendë të paqartë dhe pa platformë për bisedime, Kosova vlon nga rastet e infektuara me virusin Covid – 19, ndërsa ekonomia është buzë kollapsit.

Pa të keqen e kësaj pandemie, i pari kollaps ekonomik në Kosovë, në kohë pandemie po e godet Telekomin e Kosovës.

Sot me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Telekomit iu bllokuan llogaritë për padinë në vlerë prej 25 milion Euro nga Z – Mobile, nga kontrata e nënshkruar në vitin 2009. Ndërsa, është çështje ditësh para se Telekomi të humb të drejtën e shfrytëzimit të resurseve frekuencore, ndaj Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike për borxhin e akumulluar prej 4,836,846.96 Euro.

Paradoksalisht, kjo është pagesa e frekuencës së prefiksit +383 me të cilin Kosova e fitoi pavarësinë e saj nga Monaco Telekomi. Si rrjedhojë e keqmenaxhimit shumëvjeçar, mjeljes dhe abuzimit të vazhdueshëm në Telekom nga kasta politike, sot kemi buzë greminës ndërmarrjen më profitabile dikur në Kosovë.

Me Telekomin e Serbisë në derë, duke pritur të blejë aksionet e IPKO telekomunikimit (kompani e cila posedon 35% të tregut të telefonisë mobile), Kosovës i rrezikohet dhe kërcënohet siguria nacionale, ndërsa nga aspekti ekonomik, asetin më strategjik ia dorëzojmë Serbisë.
Përveç se u abuzua me Telekomin e Kosovës, tani ndërmarrjes po i ipet shkelmi i fundit nga neglizhenca dhe mungesa e përgjegjësisë së atyre që do të duhej të ishin në krye të detyrës. Qeveria hesht dhe në vend se të jetë e mobilizuar për shpëtimin e Telekomit, ata shpallin konkurs për drejtor të Bordit, për të vazhduar pazarin e partive në pushtet mbi ndërmarrjen.
Në anën tjetër, Kryesia e Kuvendit refuzon propozimin e GP të LVV-së të mbështetur nga Kryetarja e Kuvendit, për të diskutuar nesër për gjendjen në Telekom.
Kur ishte për t’u mjelur dhe abuzuar, ishin të parët, tani për shpëtimin e saj, kthejnë kokën anash dhe i ikin përgjegjësisë.

Kosova në këta muajt e fundit humbi dhe u dëmtua shumë, ndërsa tani dëmi ka filluar të paraqitet egërsisht edhe në vlera monetare dhe humbje të aseteve strategjike, humbje të vendeve të punës dhe rrezikim të interesit nacional.
Kosova ka nevojë për plan të rimëkëmbjes së përgjithshmë me institucione kredibile.
Kësaj qeverie jo që i ka humb busulla, por një të tillë nuk e kishte fare kur erdhën në pushtet.
Sot Telekomi, po nesër rradha e kujt është?!

Këmbanat e alarmit po bien në të gjitha anët e mjerë ata që nuk kanë vesh e tru ta kuptojnë.