LVV: Thaçi është baba i “Zajednicës”, e jo kundërshtar i saj

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për medie ka reaguar ashpër pas deklaratës së presidentit, Hashim Thaçi i cili e ka cilësuar të rrezikshme dhe të dëmshme idenë e diskutimit për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Në reagimin e LVV-së thuhet se “Zajednica”, siç e quajnë ata, e cenon rendin kushtetues, ndërsa presidenti i vendit thonë se nuk është kundërshtarë i saj.

“”Zajednica” cenon rëndë rendin kushtetues dhe unitaritetin e shtetit. Ajo është e dëmshme dhe rrjedhimisht e papranueshme dhe nuk mund të zbatohet në Republikën e Kosovës e aq më pak të sillet nga një qeverisje e paligjshme, por Thaçi është baba i “Zajednicës”, e jo kundërshtar i saj. Si themelues i kahmotshëm atij vetëm i ka mbetur merak pse nuk është Thaçi implementuesi, por kryeministri i tij kukull”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se nëse “Zajednica” paraqet rrezik për Kosovën, atëherë Thaçi duhet të të marrë përgjegjësi për tri marrëveshje të nënshkruara në vitet 2013, 2015 dhe “të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit”.

“Nëse ”Zajednica” paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë Presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e Prillit 2013, që është themeli i ”Zajednicës” që e nënshkroi si Kryeministër; të marrë përgjegjësi për ”Zajednicën” e gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën ndërkohë që më vonë doli se ajo e shkelë atë në së paku 23 nene të saj; dhe, të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit”, thuhet në reagim.