Lul Raka thotë se Kosova e ka kaluar valën e dytë të coronavirusit në korrik dhe gusht

Kosova aktualisht është në mesin e shteteve të Evropës me numër të vogël të të infektuarve me COVID-19.

Kështu ka deklaruar Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, Kosova e ka kaluar valën e dytë gjatë muajve korrik dhe gusht ku numri i të infektuarve dhe vdekjeve nga kjo sëmundje ka shënuar numër rekord.

Ndërkaq, me ftohjen e motit dhe grumbullimin e njerëzve në ambiente të mbyllura, Raka tha se është shumë e rëndësishme që të mbahet distanca, maska dhe higjiena personale, në mënyrë që të mos kemi shtim të numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus.

“Me lirimin e masave ne praktikisht e kemi pasur valën e dytë në muajt korrik e gusht. Me lirimin e masave, pra në muajin qershor kur popullata është kthyer në normalitet, dhe nuk ka pasur zbatim të masave parandaluese e as inspektim të duhur. Andaj ka rezultuar me ngritje masive të numrave të të infektuarve dhe mbingarkesë të kapaciteteve spitalore edhe laboratorike.

Andaj faktikisht i bie të jetë një valë tjetër, valë e tretë mirëpo kjo valë ndërlidhet me valën e dytë në shumicën e shteteve të Evropës, për shkak të sezonit dimëror”, u shpreh ai.