“Lëvizje e mençur nga Albin Kurti”, parashikimi: Vetëm kështu LDK e voton Vjosën presidente

Kandidati për kryeministër dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tashmë ka siguruar votat e mjaftueshme që të zgjidhet kryeministër i Kosovës.

Tani, Kurti ka ftuar në konsulta partitë politike, në mënyrë që të sigurohet shumica edhe për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente e vendit.

Por si do të veprojë LDK ditën kur Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për votimin e Vjosa Osmanit presidente?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi, i cili thotë se shumëçka varet nga ajo se kush do të jetë kryetar i ri i LDK-së.

“Sot Isa Mustafa deklaroi se qëndrimin për zgjedhjen e presidentit nga ana e LDK-së do të përcaktohet pas datës 14 mars, pra pas të dielës së ardhshme, kur Lidhja Demokratike e Kosovës do të zgjedhë kryetarin e ri, i cili do ta zëvendësojë Isa Mustafën. Dhe një gjë është e ditur: Kushdo që do ta zëvendësojë atë, nuk do të jetë kaq idhnak deri në asgjësim, si Isa. Nuk do të jetë kaq miop dhe kaq i marrosur pas unit të vet, sa Mustafa. Nuk do të ndërtojë politika të ngurta të llojit të partive sektare e të mbyllura, si kryetari i dorëhequr. Pra Lidhja Demokratike do të ketë një kryetar të ri, i cili së paku do të jetë më pragmatik”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

“Uroj të zgjidhet një kryetar që ta rrit LDK-në, që ta kthejë atë në lavdinë e dikurshme. Megjithatë cilido të zgjidhet, qoftë ky edhe Lut Haziri, nuk do të veprojë njësoj si dogmatiku dhe idhnaku Isa Mustafa. Do të ketë më shumë fleksibilitet, më shumë pragmatizëm, më shumë lëshime, me qëllim që të shtrëngohet në raste decisive për fatin e kryetarit”, shton profesor Bytyçi.

Sipas tij, nëse kryetar i LDK-së zgjidhet ndonjë nga kundërshtarët e Isa Mustafës, atëherë ka gjasa që LDK ta votojë Vjosa Osmanin për presidente.

“Zgjedhja e presidentit/ës koinçidon menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike. Kushdo të jetë i përzgjedhuri fillimisht do të hiqet si “demokrat”, si person “me zemër të madhe”, si “lojoal”, sepse i duhet të krijojë imazhin e vet personal. Pra në çdo rrethanë Lidhja Demokratike nuk do ta lëshojë sallën e parlamentit për të bllokuar zgjedhjen e presidentit/ës. Por nëse kryetar i LDK-së zgjidhet një nga ish-kundërshtarët e Isa Mustafës, dhe kjo do të ishte zgjidhja më e mirë e madje e vetme, atëherë Lidhja Demokratike jo vetëm që do ia sigurojë kuorumin Vjosa Osmanit, por ka mundësi që ta votojë zgjedhjen e saj presidente të Republikës së Kosovës”, shprehet Bytyçi.

Më tej, Bytyçi e quan lëvizje të mençur ftesën që ia dërgoi LDK-së.

“Sot Albin Kurti ka bërë një lëvizje të zgjuar. I ka dërguar ftesë për bisedime pikërisht LDK-së. Ishte ftesa e parë dhe LDK simbolikat i vlerëson jo pak. Vdes për pak vëmendje më shumë nga të tjerët. Dhe kjo vëmendje i vjen nga kundërshtari, në një farë mënyre “viktima” e Isa Mustafës, pra nga Albin Kurti. Kjo ftesë e cila hap si parin e procesit për zgjedhjen e presidentit, është drejtuar te LDK për shumë arsye”, thekson Bytyçi.

“Qëllimi i parë lidhet me ndikimin te Mustafa për të mbajtur së paku një qëndrim neutral. Sepse nëse ftesa do dërgohej të hënën, idhnaku Isa Mustafa mund të aktivizonte intriga të reja me beniaminët e vet në kryesinë e LDK-së. Kështu që motodikisht atij nuk i jepet kjo mundësi. Por ftesa u dërgua të enjten edhe me qëllimin që të bëhet menjëherë pjesë e axhendës së kryetarit të ri”.

Profesor Bytyçi shton se edhe AAK është e gatshme për kompromis për postin e presidentit.

“Nëse Vetëvendosja dhe Lista e Vjosa Osmanit merr mbështetjen e LDK-së, atëherë zor se do të ketë nevojë domosdo për mbështetjen e partive të tjera parlamentare. Megjithatë Haradinaj u shpreh pas mbledhjes së kryesisë së AAK-së për marrëveshje dhe se pranonte ftesë për bisedime. D.m.th ishte i hapur për kompromis, edhe pse nuk duket ende të ketë heq dorë nga pretendimi I tij për të marrë pozitën e kreut të shtetit. Është e drejta e tij, megjithatë nuk besoj se ai bëhet pengesë e procesit dhe e zgjedhjes së presidentit/ës të ri”, shprehet profesor Bytyçi.

Sipas tij, të gjitha partitë politike duhet ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

“Të gjitha partitë politike, përveç Listës Srpska, do të fitonin kapital politik në elektorat, nëse ato mbështesin zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente e vendit. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse kjo është dëshmia e parë, që dëshmon nëse këto parti pajtohen me vullnetin e qytetarëve për ndryshim ose jo. Nëse ato janë të gatshme të reformohen për veten e tyre dhe të ridimensionojnë qëndrimet, politikat, programet dhe madje figurat politike. Vota për presidenten Vjosa Osmani u duhet partive që të japin mesazhin te qytetarët se ato kanë mundësi të vetë korrigjohen dhe të bëhen pjesë aktive e institucioneve legjitime”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, ai thotë se cilado parti që e kundërshton Osmanin, do të humbë elektorat.

“Kësisoj nuk shoh pengesë objektive që edhe PDK e jo vetëm Lidhja Demokratike të tregohen të gatshme për krijimin e institucioneve në respekt të vullnetit të qytetarëve të vendit. Nga ana tjetër është absurd që një parti politike të pretendojë ta ketë një president që ka marrë vjen fjala 10 herë më pak vota sesa Vjosa Osmani. Shkurt, presidentin nga pikëpamja morale e kanë zgjedhur qytetarët. Cilado parti që e kundërshton humbet elektorat. Ndërsa LDK-së i duhet që ta votojë atë për postin e kryetares së shtetit edhe në shenjë ndjese për qëndrimet politike kundër saj sidomos gjatë fushatës elektorale!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.