Kuvendi mblidhet nga ora 10:00, voton për Gjyqtarin e Kushtetueses

Sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare në të cilën pjesë e rendit të ditës është edhe votimi për një Gjyqtar të Kushtetueses.

Të kontaktuara nga Reporteri.net, të gjitha partitë parlamentare shqiptare e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në procesin e votimit në seancën kur pritet të votohet për një Gjyqtar të Kushtetueses.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pohoi se nuk kanë diskutuar për përkrahje të ndonjërit nga kandidatët.

“Po natyrisht se do të marrim pjesë. Ende nuk e kemi diskutuar brenda partisë [se cilin kandidatë do ta mbështesim]”, tha Kusari.

Ndërkaq, pjesëmarrjen në këtë seancë e kanë konfirmuar edhe partitë opozitare.
Nga Partia Demokratike e Kosovës thanë se është në diskrecion të deputetëve se cilin kandidat ta votojnë.

“Po, ajo është pjesë e rendit të ditës. Tash është në diskrecion të deputetëve se kë do ta votojnë. Ne marrim pjesë në votim”, tha shkurt shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

Gjithashtu, partia e dytë opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës do jetë e pranishme në seancën kur votohet për Gjyqtarin e ardhshëm të organit më të lartë të interpretimit të Kushtetutës.

“Sigurisht që marrim pjesë. Është në vullnetin e lirë të deputetëve se kë prej Gjyqtarëve do ta votojnë”, tha shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, gjersa bëri të ditur se subjekti politik i tij nuk ka ndonjë kandidat që do ta mbështetë.o

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka ndarë mendjen për votim në seancën e nesërme plenare.

“Natyrisht që do të marrim pjesë. Votimi është i fshehtë, është në diskrecion të deputetëve se kë ta votojnë. Unë kam qenë në vlerësim të kandidatëve. Unë e di saktësisht se kush janë. Kjo ka të bëjë me një vlerësim mbi tri parimeve kryesore: integritetin, profesionalizmin dhe paanshmërinë e tij ose të saj”, tha Tahiri për Reporteri.net.

Ndryshe, të enjten 120 deputetët e legjislaturës së tetë do të mund të votojnë për njërin nga katër emrat nga lista e ngushtë që Komisioni i Posaçëm i ka propozuar Kuvendit.

Visar Morina, Vigan Qorrolli, Hilmi Jashari dhe Haxhi Xhemajli janë kandidatët për të cilët deputetët mund të votojnë.

Për të filluar procesi i votimit në Kuvend, të pranishëm në Seancë duhet të jenë së paku 61 deputetë.

Ndërkaq, për t’u zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese, kandidati duhet t’i marrë së paku 2/3 e votave të të gjithë deputetëve pjesëmarrës në procesin e votimit.

Arta Rama-Hajrizit i përfundon mandati si Gjyqtare në qershor të këtij viti.

Kujtojmë që tashmë dorëheqje nga ky institucion ka dhënë edhe Bekim Sejdiu, ish-Gjyqtar i Kushtetueses.

Ndërsa, Gjyqtarja Gresa Caka – Nimani është zgjedhur më 17 maj, në pozitën e kryetare së Gjykatës Kushtetuese.

Ajo do të fillojë të ushtrojë detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më 26 qershor 2021, pasi që të përfundojë mandati i kryetares aktuale të Gjykatës, Arta Rama-Hajrizi.

Mandati i kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është tri vjeçar.