Kurti: Qeveria koti në koordinim me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada të amabsadorëve

Ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se vendimet e Qeverisë që ai kishte udhëhequr gjatë kohës sa ishte në krye të ekzekutivit po sfidohen nga Qeveria e tanishme në krye me Avdullah Hotin.

Kurti përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se Republika e Kosovës gjendet në pozicionin e saj më të dobët ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë, e siç thotë ai këto vendime e veprime të parregullta vetëm sa po e rëndojnë situatën duke cenuar potencialin e MPJD-së dhe të shërbimit të jashtëm të Republikës

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Favoret e brendshme në shërbimin e jashtëm

Vendimet e mira të qeverisë sonë po sfidohen nga qeveria koti edhe te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Kur Republika e Kosovës gjendet në pozicionin e saj më të dobët ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë, vendime e veprime të parregullta vetëm sa po e rëndojnë situatën duke cenuar potencialin e MPJD-së dhe të shërbimit të jashtëm të Republikës.
Ne parashihnim auditimin e gradave diplomatike, ndërsa qeveria koti në koordinim me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada të amabsadorëve; përderisa ne po realizonim një proces profesional të rotacionit diplomatik, qeveria koti tejzgjatë mandatet e fëmijëve të ministrave dhe të figurave të PDK-së; ne ishim duke vendosur rregull përbrenda ministrisë, qeveria koti me transfere e rrokada sjell njerëz partiak e pa përvojë diplomatike në pozita të larta përbrenda MPJD-së; ne po krijonim hapësirë për diplomatët e karrierës, tash qeveria koti po kthen në shërbim konsuj të paligjshëm partiak.

Sipas modelit të regjimit të vjetër, çmimi i emërimit klientelist u pagua jo rrallë me lobime për pazare personale: prej librit të presidentit deri te projekti për pazare territoriale me Serbinë. Shërbimi i jashtëm duhet të jetë besnik ndaj Republikës dhe interesave kombëtare. Secili zyrtar i shërbimit të jashtëm “borxh” i ka vetëm atdheut e askujt tjetër.

Shërbimi i jashtëm duhet të përbëhet nga diplomatë të disiplinuar dhe me përgatitje të lartë, me dije të gjerë e kulturë të thellë, të cilët punojnë për mbrojtjen dhe përparimin e interesave të vendit e jo të shndërrohet në shërbim familjar që shpenzon buxhetin shtetëror për mirëqenien personale të anëtarëve të partive dhe familjarëve të qeveritarëve. Shërbimi i jashtëm nuk është shërbim arsimor e shëndetësor për familjarët e qeveritarëve.