Kurti akuzon qeverinë për keqmenaxhim me Covid-19, ministrin Zemaj e quan “Ministri Zezaj”

Ish-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar lidhur me gjendjen e krijuar në vend pas shtimit të rasteve me virusin Covid-19.

Kurti, ka akuzuar qeverinë e re të drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, për keqmenaxhim.

Sipas Kurtit, kjo qeveri do të mbahet mend si më e dobëta dhe më e mbrapshta e pasluftës, krahasimi me të cilën s’do t’i bëjë nder asnjë qeverie në të ardhmen.

“Na e hoqën sigurinë shëndetësore gjoja për hir të lirisë ekonomike. Tash po i humbim të dyja, sepse kundërthënia është e rrejshme. Shëndetësia dhe ekonomia janë të ndërvarura dhe është iluzion të mendojmë se mund të zgjedhim njërën mbi tjetrën. Këta erdhën si çlirimtarë të biznesit dhe turizmit, por po e mbushin morgun e spitalit. Numri i vendeve evropiane që e kanë futur Kosovën në listën e zezë po shtohet nga dita në ditë. Ky është krimi më i madh politik e qeveritar mbi njeriun e Kosovës, mbi qytetarin e Republikës”, u shpreh ai

Kurti, në formë ironie iu është drejtuar qeverisë Hoti, si “Qeveria Koti” derisa ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, iu është drejtuar si “ministri Zezaj”, shkruan GazetaBlic.

“Populli i Kosovës ka një refleks padëgjueshmërie qytetare ndaj kësaj qeverie të pabesueshme. Politikanët që e kanë pre në besë popullin, populli kurrë nuk u beson. Kjo qeveri nuk gëzon besimin e popullit, sepse është besëthyer. Prandaj, armiku të cilit qeveria po synon t’ia shpallë gjendjen e jashtëzakonshme është pikërisht populli. Ministri Zezaj i qeverisë Koti po ju kanoset qytetarëve të cilët tashmë i ka shpallur të pabindur e të padisiplinuar. Pra, gjendjen e jashtëzakonshme po duan t’ia shpallin popullit. Por, ne e dimë që sistemi shtetëror, në përgjithësi, nuk ka dështuar, dhe se dështimi ka emra të përveçëm individësh. Nuk kanë dështuar policia apo mjekësia, por ministrat dhe qeveria”, ka thënë Kurti