Krasniqi: Takimi në Uashington është historik vetëm për Avdullah Hotin

Deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi ka folur gjatë debatit që po zhvillohet në Kuvend për Marrëveshjen e Uashingtonit, duke thënë se nuk mund të quhet takim historik për Kosovën, por vetëm për kryeministrin Avdullah Hoti.

Krasniqi ka thënë para deputetëve se takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte takim historik vetëm për Avdullah Hotin dhe jo për Kosovën. Ai po ashtu kritikoi Qeverinë Hoti për numrin e madh të zyrtarëve që udhëtuan për SHBA.

“Shumica e deputetëve e thanë që ka qenë një takim historik, ka qenë takim historik për juve kryeministër, fotografia ka me ju nderu tanë jetën dhe prezenca në zyrën Ovale, për juve, por jo për historinë e Kosovës, çka ka historike, nuk po muj me gjet, keni nënshkruan një flet A4, por nuk keni arritë marrëveshje, edhe vet keni deklaruar që nuk është marrëveshje dhe nuk e sjelli Kuvend, qysh mundet me kanë historike, kur se ka vulen e Kuvendit”

“Pse bre shkuat kaq shumë me delegacion, une personalisht jam ndje keq kur ju kom pa ashtu, sepse u dokshi si përfaqësues të fiseve e jo të shtetit”, ka thënë ai në Kuvend.null

Tutje Krasniqi ka folur edhe për mosbesimin që kanë partnerët e koalicionit ndaj Hotit, duke thënë se iu ‘dërguan njerëz për të parë se mos po gaboni’

“A ju kanë çu njerëz që mos po gaboni apo po bëni ndonjë kompromis, sepse nuk po ju besojnë a çka, edhe shumica metën në korridore, e me ba një selfie para Shtëpisë së Bardhë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu e cilësoi si pozitive vet faktin që ky takim është mbajtur në Shtëpinë e Bardhë sepse sipas tij SHBA janë shtet mik i Kosovës, duke e ditur se dy kryeministrat tjerë kanë rrezikuar marrëdhëniet me Amerikën.

Për paralajmërimin e Izraelit që do ta njoh Kosovën, sipas Krasniqit pa notë verbale nuk mund të thuhet se Izraeli ka njohur Kosovën si shtet, por vetëm është paralajmëruar.

Ai po ashtu ka kritikuar Hotin edhe për çështjen e Ujmanit dhe Mini-Shengenit si dhe tema të tjera që kanë qenë të përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit.