Kosovë: Publikohet video e momentit të vrasjes së Agonis Tetaj, babai kërkon drejtësi

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj nga qyteti i Deçanit në Kosovë, përmes një emaili dërguar mediave, organizatave joqeveritare dhe ambasadave të huaja në Kosovë, ka publikuar videon e aktit të vrasjes së djalit të tij në vitin 2018.

Ai përmes kësaj letre ka kërkuar drejtësi, pasi në këtë rast, është rikualifikuar vepra penale nga prokurori Agron Uka, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, të cilën vepër të rikualifikuar e ka pranuar i akuzuari Shaban Gogaj.

“Po ju shkruaj nga mllefi, shqetësimi dhe frika e prindit dhe familjarit të cilit ju ka vra djali dhe siç po shihet procesi është i manipuluar, ndikuar nga persona të korruptuar dhe i akuzuari nuk do të marr dënimin e merituar”, shkruan në letrën e Goqaj adresuar mediave.

Për këtë ai ka adresuar kritika ndaj prokurorit të rastit Agron Uka.

“Me gjithë shumë fjalët publike se drejtësia në Kosovë është e ndikuar, korruptuar dhe e pa drejtë unë kam shpresuar dhe besuar dhe kam pritur gjithnjë duke besuar se kjo lëndë do të shqyrtohet dhe dënohet në mënyrë meritore, mirëpo dje me dt. 16.03.2021 u konfirmua edhe me rastin e gjykimit për vrasjen e djalit tim se hallkat e gjyqësorit në Kosovë nuk janë të pa anshme ne këtë rast prokuroria më konkretisht personi z. Agron Uka”.

Ai thotë se “Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar”.

“Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjyqësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”.

Sipas tij prokurori Uka me kërkesën e avokatit të palës së akuzuar është vendosur të ngarkohet me këtë çështje pa të drejtë, duke e larguar nga rasti Prokurorinë e Pejës e cila i ka zhvilluar të gjitha hetimet edhe e ka kompletuar lëndën në mënyrën meritore sipas veprës vrasje e rëndë me dashje:

Në këtë letër babai i të ndjerit thotë se “i qetë dhe i heshtur i mllefosur dhe i vrarë në shpirt e kam përcjell këtë proces gjyqësor gjatë tërë kohës për me shume se dy vite me shpresën që do të vendoset drejtësia dhe siç po shihet kjo nuk do të ndodh”.

“Nuk po kërkoj asgjë tjetër drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi gjykojeni për një çast djalin tuaj në vend të Agonisit tim i cili në një ditë të diele kur njerëzit normal pushojnë ishte duke punuar për ekzistencën e familjes dhe fëmijëve të tij dhe të vritet në këtë mënyrë në vendin e punës dhe vrasësi të mos marr dënimin e merituar”.

Pas  rikualifikimit të veprës nga prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë.

Shaban Gogaj akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj Ag” dhe për veprën penale të armëmbajtjes paleje.

Përveç Gogaj, për armëmbajtje pa leje, akuzohet edhe i pandehuri Isuf Cacaj.

Këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguri kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit.

Pas rikualifikimit të veprës penale dhe deklarimit fajtor të pandehurit Gogaj për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, mori vendim për aprovimin e pranimit të fajësisë.

Seanca e shpalljes së aktgjykimit u caktua më 19 mars 2021, ora 14:30.

Pamje të rënda nga video-incizimi i vrasjes së Agonis Tetajt: