Kosovari vdes duke punuar në Itali, shokët i mbledhin paratë për ta kthyer në Kosovë

43 vjeçari, Bekim Kunushevci ka vdekur aksidentalisht gjatë kohës edhe kur po punonte në një qytet të Italisë.

Ai aktualisht banonte në Anghiari me gruan dhe dy fëmijët e tij (të moshës 10 dhe 8 vjeç). Më 27 mars në Città di Castello një aksident shumë i rëndë në punë rezultoi në vdekjen e tij, shkruan TV Tevere.

Ai po bënte disa punë ndërtimi brenda një apartamenti. Teksa ndodhej në një shkallë, papritmas ai rrëshqiti dhe goditi kokën me në cep të shtratit. Menjëherë ai u transportua në spitalin Tifernate, më pas në Santa Maria della Misericordia në Perugia, ku vdiq në 30 mars.

Por ky rast i trishtë ka disa anë për të sqaruar, aq sa kosovari është në qendër të një hetimi nga Prokuroria Publike e Perugias e cila ka hapur një dosje për vrasje pa dashje duke regjistruar dy përfaqësuesit e ndërmarrjes ndërtimore. Për më tepër, si pjesë e hetimeve, u kërkua marrja e të dhënave mjekësore të spitaleve (të Città di Castello dhe Perugia).

Anëtarët e familjes së 43-vjeçarit mbrohen nga avokatët Emanuela Splendorini dhe Mirco Meozzi. Trupi u dërgua për obduksion, u krye një autopsi dhe më 7 prill, prokurori publik Massimo Casucci, i cili koordinoi hetimet, lëshoi autorizimin për t’i dhënë lamtumirën e fundit 43-vjeçarit.

Trupi i pajetë i shqiptarit i cili humbi jetën në Itali, do të kthehet për varrim në Kosovë falë një solidariteti të bashkëkombasve që jetojnë në Itali dhe Ballkan.

Komuniteti kosovar, shqiptar dhe maqedonas që jetonte në Valtiberina, i ndihmuar nga disa italianë, organizoi një mbledhje fondesh për të mundësuar që trupi i pajetë i Kunushevcit të kthehej në atdhe.

Falë këtij organizimi u mblodhën 11,000 euro të cilat do të përdoren për t’i paguar shpenzimet. Ajo që mbetet do t’i dhurohet gruas dhe fëmijëve.