Kosovari i dënuar për drogë në Britani i shpëton dëbimit: Vajza e tij, shumë e vogël për të mbajtur kontakt

Një kosovar, i dyshuar për shitje të kokainës në Britani të Madhe, është “kursyer” nga dëbimi pasi një gjykatë ka vendosur se vajza e tij ishte shumë e vogël për të mbajtur kontakt me babain përmes teknologjisë moderne, siç janë thirrjet me kamerë.
“The Telegraph” raporton se Andi Shoshari, 34 vjeçar me 12 dënime, ka fituar në apel për të qëndruar në Britani pasi u gjet se dënimi i tij do të ishte “tepër i ashpër” për fëmijën njëvjeçar, transmeton Nacionale.
Pas një dëgjimi më 7 janar, një gjykatë ka vendosur se dëbimi do të shkelte të drejtën e Shosharit për një jetë familjare, sipas artikullit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata ka thënë se, nëse ai do të dëbohej, fëmijës së tij do t’i mohohej kontakti “shumë i rëndësishëm” fizik me të.
Zyra e Brendshme kishte argumentuar se Shoshari do të mund ta mbante marrëdhënien me të bijën përmes teknologjisë, por kjo u hodh poshtë.
Gjykatës po ashtu iu tha se partnerja britanike e Shosharit, një punonjëse e kujdesit, ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë dhe se do ta konsideronte si “të zymtë” lëvizjen për në Kosovë.
Shoshari, i cili u vendos në Britani të Madhe në moshën nëntë vjeçare bashkë me prindërit e tij, ka 12 dënime për 18 vepra penale. Më seriozja nga këto është furnizimi me kokainë, për të cilën ai është burgosur për tri vjet e tetë muaj, transmeton Nacionale.
Ai ka një marrëdhënie me një grua britanike, dhe në mars kanë lindur vajzën e tyre. Fëmija i dytë pritet të vijë në jetë gjatë qershorit.
Zyra e Brendshme i ka thënë Gjykatës se dëbimi nuk do të ishte “shumë i ashpër” sepse fëmija i dytë nuk ka lindur ende, Kosova ka ndryshuar shumë prej kur ai u largua dhe ka ende disa familjarë atje.
Megjithatë, paneli ka arritur në përfundimin se nuk është e drejtë ndaj partneres apo fëmijës së Shosharit që ai të dëbohej, dhe të pritej nga ata të shkonin me të.
Po ashtu, është thënë se në Kosovë ka ende “shqetësime për sigurinë dhe socio-ekonominë… jostabilitet dhe korrupsion”.
Në argumentin e panelit thuhet: “Ne kemi konsideruar kërkesën e Zyrës së Brendshme se marrëdhënia mund të mbahet përmes mënyrave moderne të komunikimit. Ne e pranojmë kërkesën e avokatit të z. Shoshari se një fëmijë shumë i vogël nuk ka gjasë të mbajë vëmendjen përmes metodave moderne të komunikimit dhe se kontakti fizik është shumë i rëndësishëm për të.”
“Për fëmijën, ne konsiderojmë se largimi i babait të saj dhe ndikimi i jashtëzakonshëm te nëna e saj, dhe si i tillë në familjen e tyre, do të ishte tepër i ashpër dhe do të shkaktonte dëm serioz.”
“Duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë në mënyrë kumulative dhe provat para nesh, ne konkludojmë se ndikimi i dëbimit do të ishte tepër i ashpër për fëmijën e tij nëse ajo dhe nëna e saj do të qëndronin në Mbretërinë e Bashkuar në mungesë të babait të saj.
Ne konstatojmë se z. Shoshari e ka trajtuar çështjen e tij në standardin e kërkuar dhe dëbimi i tij nga Mbretëria e Bashkuar do të ishte joproporcional. Duke zbatuar ligjin siç është sot, ne konkludojmë se ka rrethana shumë bindëse mbi përjashtimet nga dëbimi”.



