Komenti i Agim Veliut për daljen e Thaçit pa maskë para Policisë

Policia e Kosovës ka publikuar sot një fotografi të presidentit Hashim Thaçi gjatë një organizimi përkujtimor në të cilën shihet se kreu i shtetit nuk ka respektuar masat kundër COVID-19.

Thaçi pranë kreut të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të saj ka qenë i vetmi që nuk ka vendosur maskën mbrojtëse për të cilën qytetarët edhe ndëshkohen me gjobë nga ana e Policisë.

Për promovimin e një personaliteti të lartë politik duke mos respektuar thirrjen e institucioneve shëndetësore në kohë krize nga pandemia, politikajashtme.com ka provuar të marrë një deklaratë nga ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu.

“Pyete presidentin, pse po m’pyet mu”, tha ai.

Por i njëjti gjatë kësaj bisede ka injoruar pyetjet duke e mbyllur telefonin më pastaj.

Në anën tjetër, kryeministri Avdullah Hoti kritikoi dje policinë duke konstatuar dështime në menaxhimin e COVID-19.

“Jemi të shqetësuar për mosrespektimin e masave në disa raste dhe mos angazhimin e nevojshëm të Inspektoratit dhe Policisë në këto raste konkrete, kemi pasur aktivitete sportive në masë dhe pa i respektuar masat e Qeverisë, ka pasur edhe protesta në Prishtinë pa kërkuar leje, kjo është e patolerueshme. Të gjithë personat përgjegjës të institucioneve komanduese të institucioneve përkatëse, duhet të marrin përgjegjësi për mosrespektim të vendimeve të Qeverisë”, u deklarua Hoti.

politikajashtme.com disa herë ka raportuar se presidenti Thaçi në aktivitete e në vizita nuk po respekton masat kundër COVID-19.

Sot presidenti publikoi edhe fotografi duke pirë çaj me disa persona të shtyerë në moshë, në Prizren. Pavarësisht asaj që kjo grupmoshë është ndër më të rrezikuara përballë coronavirusit të ri, vetëm ai nuk ka vendosur maskë.