Iraku e njofton vrasjen e një komandanti të lartë të ISIS-it në Siri



Shërbimi irakian kundër terrorizmit tha të premten se një udhëheqës i lartë i ISIS-it është vrarë gjatë një operacioni të sigurisë në Siri, i cili u krye në bashkërendim me koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Komandanti, Omar Abdul Qader Bassam, i njohur si Abdul Rahman Al-Halabi, ishte udhëheqës i operacioneve dhe sigurisë së jashtme në ISIS, tha shërbimi irakian.

Ai është akuzuar për mbikëqyrjen e sulmeve në disa shtete, përfshirë bombardimin e Ambasadës së Irakut në Liban, dhe planifikimin e operacioneve të tjera në Evropë dhe ShBA, të cilat ishin zbuluar dhe parandaluar në fund nga puna e inteligjencës, thuhet më tej në njoftim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane ka kryer një varg sulmesh që në shënjestër i kanë pasur figurat e ISIS-it në Siri.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se grupi famëkeq po shpreson që të organizojë rikthim në vend pas rrëzimit të ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, pushteti i të cilit u mposht nga ofensiva e rebelëve në dhjetorin e vitit të kaluar.

Nga rubrika

Back to top button