Infermierja e QKUK-së thirrje qytetarëve: Mos u shlironi, ruani familjet

Ishte mesi i prillit kur infermierja, Luljeta Musliu, kishte kuptuar që ishte pozitive me COVID-19. Pas kësaj, ajo qëndroi për javë me radhë në Klinikën Infektive e pas kësaj edhe e izoluar larg familjes.

Musliu është vetëm një në mesin e më shumë se 300 infermierëve të cilët janë infektuar me COVID-19 në Kosovë, duke shënuar numrin më të lartë të profesionistëve shëndetësorë me virus.

Ajo thotë që përvoja e saj gjatë kësaj periudhe ishte shumë e rëndë.

“Nuk ka qenë i lehtë izolimi dhe qëndrimi në Klinikën Infektive por duhet të izolohemi që të mbrojmë veten e familjarët e tyre” ka thënë Musliu në Frontal të T7.

Kësisoj ajo thotë që të gjithë qytetarët nuk duhet të lirohen siç janë duke vepruar momentalisht sepse po rrezikojnë familjarët e tyre. Njëkohësisht ajo paralajmëron se numri i stafit shëndetësor është duke u zvogëluar.

“Kemi shumë për të thënë, le të kujdesen mos të lirohen siç janë liruar për shkak që po shtohet numri i rasteve, le të kujdesen për veten e familjarët e tyre sepse numri i profesiontëve shëndetësorë është duke u zvogëluar” ka thënë infermierja.

Musliu e cila punon në Klinikën e Neurologjisë ka treguar që momentalisht ka edhe pjesëtarë të infektuar- në mesin e tyre edhe një infermiere shtatzënë.

“Në Klinikën e Neurologjisë, në repartin e Dializës, tre pacientë kanë ndërruar jetë. Kemi qendër edhe në Kodrën e Trimave ku edhe atje disa pacientë kanë rezultuar pozitivë. Prej stafit shëndetësorë 5 infermierë. Edhe një infermiere është në muajin e nëntë të shtatzënisë” tha Musliu në T7.

Musliu ka thënë që stafi shëndetësor ka masat mbrojtëse të kufizuara dhe se janë duke i kursyer.