I plagosuri në Gradicë është në gjendje të rëndë

Një i mitur 15 vjeçar mbeti i vdekur nga të shtënat me armë në Gradicë të Drenasit, ndërsa babai i tij u plagos rëndë, pas një mosmarrëveshjeje që kishin pasur me dy persona tjerë nga i njëjti fshat.

Shefi i Intenzivës në Qendrën Klinike Spitalore, Shaqir Uka, tha përmes telefonit se i plagosuri B.M ka lëndime serioze në kokë dhe është në gjendje të rëndë, pavarësisht intervenimit kirurgjik, njofton Klan Kosova

Kurse nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare bëri me dije për Klanin se ka dërguar ekipe për trajtim psikologjik të familjarëve.

Pas ngjarjes së zhvilluar në mal, dy të dyshuarit ishin arratisur. Megjithatë, njëri nga këta të fundit tashmë është dorëzuar në polici.

Kurse Prokuroria Themelore e Prishtinës po merret me rastin.

“Rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë “ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar për obdukim, ndërsa personi tjetër i plagosur është duke u trajtuar në QKUK”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Motivet që çuan te kjo ndodhi nuk dihen ende zyrtarisht